
S4J prezanton përvojën e projektit në konferencën e ITCILO, në Torino
Projekti “Aftësi për Punë” u prezantua në Panairin e Aftësive për Praktikat Profesionale Cilësore, organizuar nga ITCILO në Torino, më datat 27-29 shkurt 2024. Mbi 1000 pjesëmarrës, 102 folës dhe 29 stenda të eksperiencave ndërkombëtare u mblodhën së bashku për të diskutuar transformimin e rrugëtimit profesional të të rinjve përmes praktikave profesionale cilësore.
Menaxheri i projektit “Aftësi për Punë”, Z. Fation Dragoshi ishte një nga panelistët e sesionit për Barazinë, Diversitetin dhe Përfshirjen në Praktikat Profesionale Cilësore, i cili ndau me pjesëmarrësit përvojën 8 vjeçare të projektit në Shqipëri për të promovuar praktika profesionale cilësore për mijëra të rinj. Eliana Myrselaj, ish-nxënëse e shkollës Gjergj Canco u bashkua on-line në sesion për të treguar udhëtimin e saj të praktikës profesionale në kompaninë @timakofficial , ku vijon e punësuar prej 2 vitesh.
Praktikat profesionale janë një komponent i domosdoshëm i çdo strategjie zhvillimi dhe punësimi për të adresuar sfidat e ardhshme të tregut të punës. Ndër vite, Swisscontact nëpërmjet projektit “Aftësi për Punë” ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për institucionet e AFP-së në vend për realizimin cilësor të praktikave profesionale dhe angazhimin e sektorit privat.



