
Dualizimi i arsimit profesional: Një angazhim i Qeverisë Shqiptare mbështetur nga projekti “Aftësi për Punë”
Gjatë muajit korrik, në takimin e organizuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Kryeministri i Shqipërisë z. Edi Rama dhe Zëvendësministrja znj. Olta Manjani prezantuan nismën e re për reformimin e arsimit profesional: zbatimin e Arsimit Profesional Dual dhe krijimin e Fondit Kombëtar të Aftësimit.
Kryeministri Rama theksoi nevojën e zbatimit të një nisme të tillë në Shqipëri duke u frymëzuar nga modele të suksesshme si ai zviceran, dhe nënvizoi faktin se ky është një nga prioritetet e Qeverisë Shqiptare deri në vitin 2030 në kuadër të Strategjisë Kombëtare për Punësim dhe Aftësi 2023-2030.

Projekti “Aftësi për Punë” (S4J), tashmë në fazën e tij të tretë, do të vijojë të mbështesë qeverinë shqiptare në zbatimin e kësaj nisme transformuese për zhvillimin e kapitalit njerëzor në Shqipëri.
Kjo nismë po zbatohet në 10 shkolla profesionale, në 6 rajone të vendit, me përfshirjen e mbi 100 bizneseve. Nxënësit – punëmarrës do të mësojnë profesionin jo vetëm pranë shkollës, por edhe pranë kompanive ku do të punojnë për të paktën 3 ditë në javë, në profile të caktuara të drejtimeve: Hoteleri-Turizëm, Teknologji Informacioni dhe Komunikimi, Shërbime Mjetesh Transporti dhe Elektroteknikë.

