Arsimi dual: Hapat e para drejt transformimit të arsimit profesional frymëzuar nga modeli zviceran

Arsimi dual: Hapat e para drejt transformimit të arsimit profesional frymëzuar nga modeli zviceran

Viti shkollor 2024-2025 nisi me një risi që shënon një epokë të re në arsimin profesional në Shqipëri: arsimi profesional dual. Kjo reformë transformuese, bazuar në modelet e vendeve si Zvicra dhe Gjermania, synon të ofrojë një alternativë praktike ndaj modelit tradicional të arsimit profesional të bazuar në shkollë, duke i pajisur të rinjtë me aftësitë e nevojshme për një treg pune dinamik.

Në sistemin dual të arsimit profesional, nxënësit – punëmarrës do të kenë mundësi të punojnë tre ditë në javë në kompani nga më prestigjozet përkundrejt pagesës. Arsimi dual do të zbatohet këtë vit në dhjetë shkolla profesionale në gjashtë qarqe të vendit, me mbi 100 kompani punëdhënëse dhe afro 300 nxënës-punëmarrës.

Rrugëtimi drejt zbatimit të arsimit dual në Shqipëri

Zbatimi i arsimit dual u parapri nga një sërë konsultimesh nga ana e aktorëve të interesit. Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI), Ambasada e Zvicrës në Shqipëri, Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA), Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve (AKAFPK), projekti “Skills Development for Employment” (SD4E) nga UNDP dhe projekti “Aftësi për Punë” (S4J) kanë qenë aktorët kryesorë të cilët përmes konsultimeve të vazhdueshme i kanë dhënë formë zbatimit të arsimit dual dhe kuadrit rregullator të tij.

Takimi i parë mes palëve të interesit u zhvillua në datën 3 mars 2024 në formën e një workshopi me temë: “Dualizimi i arsimit profesional në Shqipëri”, i cili pati si qëllim përcaktimin e një kuptimi të përbashkët për arsimin profesional dual për Shqipërinë, promovimin e arsimit profesional dual nga ana e Qeverisë Shqiptare dhe identifikimin e hapave kyçe që do të merreshin nga Qeveria Shqiptare drejt qëllimeve të dakorduara. Përveç aktorëve të interesit, në workshop mori pjesë edhe Prof. Em. Dr. Dieter Euler nga Universiteti i “St. Gallen” në Zvicër.

Falë këtij workshopi, u arrit një marrëveshje për ndjekjen e një qasjeje graduale për zbatimin e arsimit dual, duke synuar fillimisht kualifikime specifike në rajone të përzgjedhura. Prioritet mori përmirësimi i kuadrit ligjor dhe rregullator dhe adresimi i sfidave teknike me fokus në strategjitë efektive të komunikimit me kompanitë, si dhe kryerja e vlerësimit lidhur me sektorët prioritarë ekonomikë për zbatimin e nismës së arsimit dual.

Në datat 15-16 prill, delegacioni shqiptar i përbërë nga Zv. Ministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI), përfaqësues nga MEKI, drejtorët e përgjithshëm të AKPA dhe AKAFPK, si dhe përfaqësues nga S4J, morën pjesë në një vizitë studimore në Zvicër me fokus eksplorimin e modelit dual të arsimit profesional të zbatuar nga Zvicra me qëllim identifikimin e elementeve që mund të transferohen në sistemin shqiptar të AFP-së.

Gjatë vizitës të organizuar nga S4J, delegacioni shqiptar pati mundësinë të njihej me praktikat e mira të sistemit dual në Zvicër dhe të diskutonte mbi mundësitë dhe potencialin për zbatimin e sistemit dual në Shqipëri. Fillimisht, në ambientet e Universitetit të St. Gallen u zhvillua një workshop me fokus në aspektet teknike të zbatimit të sistemit dual në Shqipëri, nën moderimin e Prof. Dr. Dieter Euler dhe Prof. Dr. Bernadette Diliger nga Instituti i Edukimit të Biznesit dhe Menaxhimit të Arsimit i Universitetit St. Gallen.

Më pas, delegacioni vizitoi shkollën profesionale GBS St. Gallen (Gewerbliche Berufsschule St. Gallen), ku drejtori i shkollës, z. Daniel Kehl, dhe stafi i tij prezantuan funksionimin e sistemit të tyre dual. Nxënës të shkollës prezantuan rrugëtimin e tyre dhe përvojat si praktikantë në biznese.

Vizita përfshiu edhe takime në dy kompani që angazhojnë praktikantë dhe aplikojnë sistemin dual: “Starrag Group”, një kompani lider në tregun global në prodhimin e mjeteve të precizionit të lartë për kompanitë në sektorin e aviacionit, energjisë, mikromekanikës dhe transportit, dhe “Libs”, një kompani lider trajnimi që menaxhon të gjithë zinxhirin e procesit të rekrutimit dhe kapacitimit të praktikantëve për t’i përgatitur për kompanitë zvicerane.

Share This Article: