
Nga klasa në punë: 7 kualifikime të reja duale në arsimin profesional që nga shtatori 2025
Arsimi profesional në Shqipëri po përjeton një transformim thelbësor: duke filluar nga viti shkollor 2025–2026, të rinjtë do të kenë mundësinë të ndjekin 7 kualifikime të reja duale, që i përgatisin për tregun e punës përmes të nxënit në shkollë dhe në biznes njëkohësisht. Në këtë model, nxënësit kalojnë 3 ditë në javë në kompani partnere, duke u përgatitur profesionalisht në kushte reale pune – një qasje që rrit cilësinë e formimit dhe punësueshmërinë e tyre pas përfundimit të studimeve.
Kualifikimet e reja për vitin 2025–2026 përfshijnë:
- Instalime elektrike, civile dhe industriale – dual (1-vjeçar, Niveli III)
- Menaxhim i furnizimit dhe logjistikës – dual (4-vjeçar, Niveli IV)
- Menaxhim eventesh – dual (1-vjeçar, Niveli V)
- Diagnostikim – menaxhim në autoservis – dual (1-vjeçar, Niveli V)
- Dizenjim mode – dual (2-vjeçar, Niveli V)
- Menaxhimi i shërbimit të ushqimit dhe pijeve – dual (1-vjeçar, Niveli V)
- Energji e rinovueshme – dual (1-vjeçar, Niveli V)
Pesë kualifikimet e para janë zhvilluar nga Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve (AKAFPK) me mbështetjen e projektit “Aftësi për Punë” (S4J) dhe me kontributin e mbi 40 ekspertëve të industrisë, të cilët kanë ndihmuar në hartimin e standardit të profesionit e të kualifikimit si dhe skeletkurrikulës përkatëse gjatë periudhës maj – korrik 2025. Ekspertët e angazhuar vijnë nga kompani të mirënjohura, si: BALFIN Group (Jumbo, Milsped Albania, ACREM, BALFIN Development), Marketing & Distribution, Sky Logistics, Kuehne & Nagel Albania, Agjenci Doganore BEN IMPEX & CO, Geraldina Sposa, Landmark Communication, Le Spot Group, Iceberg Exhibitions, Rogner Hotel, MAK Hotel Tirana, Plaza Hotel, Hilton Garden, Anila Zajmi Atelier, Anila Konomi Atelier, Albanian Craftsman Education, Prodyn Albania, Mektrin Motors, OSHEE, KESH dhe ALPEX.
Skeletkurrikulat për këto kualifikime janë në proces publikimi në faqen zyrtare të AKAFPK-së dhe do të jenë së shpejti të disponueshme për ofruesit e arsimit profesional dhe kompanitë.









Nga pilotimi te zgjerimi: modeli dual në veprim
Modeli dual nisi zbatimin në Shqipëri në vitin shkollor 2024–2025 si pjesë e reformave të Qeverisë Shqiptare për zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe afrimin e arsimit profesional me tregun e punës.
Gjatë vitit të parë u zhvilluan 6 kualifikime duale:
- Recepsion – dual (1-vjeçar, Niveli III)
- Kuzhinë – dual (1-vjeçar, Niveli III)
- Menaxhimi i strukturave akomoduese – dual (1-vjeçar, Niveli V)
- Multimedia – dual (2-vjeçar, Niveli IV)
- Shërbime elektro-auto – dual (1-vjeçar, Niveli III)
- Instalim dhe mirëmbajtje e linjave të tensionit – dual (1-vjeçar, Niveli III)
Këto programe u pilotuan në 10 shkolla profesionale në 6 rajone të vendit, në bashkëpunim me 114 biznese partnere dhe me pjesëmarrjen e 203 nxënësve, të cilët u udhëhoqën nga 124 mentorë të trajnuar në kompani.
Duke u mbështetur në rezultatet pozitive të këtij pilotimi, për vitin shkollor 2025–2026 parashikohet zgjerimi i modelit dual në më shumë shkolla dhe rajone, me përfshirjen e 7 kualifikimeve të reja dhe rritjen e numrit të nxënësve dhe kompanive të angazhuara në përgatitjen profesionale të të rinjve.
Mbështetja zvicerane: një partneritet për të ardhmen
Zbatimi me sukses i modelit dual të arsimit profeisonal dhe shtimi i kualifikimeve të reja duale është i mundur falë kontributit të Qeverisë Zvicerane, përmes projektit “Aftësi për Punë” (S4J) që zbatohet nga Swisscontact. Zvicra mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm dhe afatgjatë të Shqipërisë në reformimin e arsimit profesional dhe promovimin e të nxënit në mjedisin e punës – një model i dëshmuar për integrimin e qëndrueshëm të të rinjve në tregun e punës.