Projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim e Bashkëpunim SDC
Shkollat profesionale të Shqipërisë dhe Kosovës bashkojnë forcat për zhvillim dhe bashkëpunim - Featured Image

Shkollat profesionale të Shqipërisë dhe Kosovës bashkojnë forcat për zhvillim dhe bashkëpunim

Mbi 30 përfaqësues nga shkollat profesionale të Shqipërisë dhe Kosovës u mblodhën në Shkodër, më 29 shtator – 1 tetor, për një vizitë studimore që synoi ndarjen e përvojave, ideve dhe praktikave të suksesshme mbi zhvillimin organizativ dhe bashkëpunimin me sektorin privat.

Ky aktivitet, i organizuar nga dy projektet e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) të zbatuara nga Swisscontact – “Aftësi për Punë” (S4J) dhe Matching Skills to Jobs (MSJ) – shënoi një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të urave të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Kosova përfiton nga përvoja e Shqipërisë

Autoritetet kosovare janë aktualisht në proces rishikimi të ligjit për arsimin profesional dhe po shqyrtojnë mundësinë e përfshirjes së modelit të Njësisë së Zhvillimit, si një praktikë e suksesshme për t’u replikuar.

Dita e parë u fokusua në zhvillimin organizativ dhe modelin e Njësisë së Zhvillimit, duke nxitur reflektime mbi mënyrat për përmirësimin e sistemit të arsimit profesional. Dita e dytë solli vizita në shkollën profesionale “Hamdi Bushati” dhe disa biznese partnere, ku pjesëmarrësit panë nga afër funksionimin e bashkëpunimit mes shkollës dhe tregut të punës, përmes praktikave profesionale dhe programeve duale.

Ky takim rajonal është një shembull i qartë se si bashkëpunimi dhe shkëmbimi i përvojave mund të forcojnë arsimin dual dhe të krijojnë histori suksesi që bashkojnë.