Projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim e Bashkëpunim SDC
Ditët e dyerve të hapura në shkollën “Kolin Gjoka”: Një model bashkëpunimi dhe inovacioni - Featured Image

Ditët e dyerve të hapura në shkollën “Kolin Gjoka”: Një model bashkëpunimi dhe inovacioni

Në kuadër të angazhimit për promovimin institucional, shkolla“Kolin Gjoka” organizoi në maj aktivitetin “Ditët e Dyerve të Hapura”, një nismë që bashkon aktorët e interesit të shkollës dhe krijon hapësira për dialog e bashkëpunim.

Këtë vit, aktiviteti mori një dimension të ri, pasi pjesëmarrës ishin edhe katër shkollat e reja partnere të projektit “Aftësi për Punë” (S4J), duke sjellë një atmosferë shkëmbimi mes shkollave profesionale. Përfaqësuesit e këtyre shkollave u njohën me praktikat e angazhimit cilësor të sektorit privat, si në promovimin e shkollës, ashtu edhe në orientimin në karrierë të nxënësve të klasave të 9-ta dhe të 11-ta për përzgjedhjen e profileve, gjithçka e realizuar me pjesëmarrjen aktive të bizneseve.

Një nga momentet kyçe të aktivitetit ishte prezantimi i arsimit dual, qasja novatore që po transformon mënyrën e përgatitjes së të rinjve për tregun e punës. Shkolla “Kolin Gjoka” ndau përvojën e saj pozitive me ofrimin e kualifikimit “Kuzhinë (dual)”, duke treguar se si ky model rrit cilësinë e formimit profesional dhe punësueshmërinë e nxënësve.

Aktivitete të tilla vendosin në qendër praktikat pozitive dhe bashkëpunimin me sektorin privat, duke shërbyer si një model frymëzues për promovimin institucional në arsimin profesional.