Këtë nëntor, 202 mësues nga 13 shkolla profesionale po ndjekin kurset e Pedagogjisë Digjitale përmes MësoVET. Ky cikël përfshin 8 kurse që i ndihmojnë mësuesit të zhvillojnë aftësitë e tyre pedagogjiko-digjitale dhe të sjellin në klasë metoda të reja të mësimdhënies.
Këtë herë, interesi më i madh ka qenë për kursin mbi gjithëpërfshirjen dhe aksesueshmërinë në mësimin e kombinuar, i ndjekur nga planifikimi i orës së mësimit dhe mësimi i kombinuar në praktikë. Kjo tregon se mësuesit janë të fokusuar si te qasja metodologjike, ashtu edhe te zbatimi praktik në klasë.
Për shumë prej tyre, trajnimi online po bëhet një mënyrë e natyrshme e të nxënit profesional. Mësuesit e shfrytëzojnë MësoVET për të punuar sipas ritmit individual, për të shkëmbyer ide dhe për të krijuar përmbajtje që mund ta përdorin me nxënësit e tyre.
Trajnimet e Pedagogjisë Digjitale po mbështesin shkollat profesionale në rrugën drejt modernizimit të mësimdhënies dhe përdorimit të teknologjisë në mënyrë të qëndrueshme dhe efikase.
