Projekti “Aftësi për Punë” (S4J) në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA) ka nisur ciklin e D.U. Talks – Dialog Kombëtar për Njësinë e Zhvillimit, një seri prej 8 takimesh që synojnë rritjen e rolit dhe funksionimit të Njësive të Zhvillimit në shkollat profesionale në Shqipëri.
Takimet e para të këtij cikli u zhvilluan në format hibrid dhe u fokusuan në tre tema kyçe për zhvillimin e qëndrueshëm të arsimit profesional: rolin e Përgjegjësit të Njësisë së Zhvillimit dhe gjurmimin e punësimit të të diplomuarve dhe marrëdhëniet me biznesin dhe partnerët.
Takimi i parë solli në vëmendje funksionin e Përgjegjësit të Njësisë së Zhvillimit, duke ndarë përvoja konkrete, sfida dhe praktika të mira nga shkollat profesionale në vend, si dhe duke krijuar një hapësirë bashkëpunimi mes përfaqësuesve institucionalë dhe partnerëve zhvillimorë.
Takimi i dytë u përqendrua në gjurmimin e punësimit të të diplomuarve si një nga instrumentet më të rëndësishme të vendimmarrjes në arsimin profesional. Pjesëmarrësit diskutuan mënyrat se si të dhënat e gjurmimit mund të përdoren për përmirësimin e programeve mësimore, orientimin në karrierë dhe forcimin e lidhjes me tregun e punës, si dhe sfidat që shoqërojnë mbledhjen dhe analizimin e tyre.
Takimi i tretë iu kushtua rolit të funksionit të Marrëdhënieve me Biznesin dhe rolit të koordinatorit të këtij roli, me fokus në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet shkollave profesionale dhe biznesit dhe në funksionin strategjik të KMB si urë lidhëse mes dy palëve. Në panelin e diskutimit morën pjesë përfaqësues të biznesit dhe mentorë të praktikave profesionale, si dhe koordinatorë nga shkolla “Hamdi Bushati” Shkodër, Shkolla Tregtare Vlorë dhe Shkolla Profesionale Elbasan, të cilët ndanë përvojat dhe praktikat e tyre në ndërtimin e partneriteteve të qëndrueshme shkollë–biznes.
Të ftuar në këto takime ishin edhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile që bashkëpunojnë e kontribuojnë në shkollat e arsimit profesional në vend, si: World Vision, Save the Children, Terre des Hommes, UNICEF, Projekti Sd4E nga UNDP etj.
Përmes këtyre sesioneve të dialogut, u theksua rëndësia e përdorimit strategjik të të dhënave dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm mes shkollave, institucioneve dhe partnerëve zhvillimorë, me synimin për të ndërtuar një sistem më efikas, të qëndrueshëm dhe të orientuar drejt tregut të punës.









