Arsimi profesional ende perceptohet nga një pjesë e shoqërisë si zgjedhja e atyre që nuk ia dolën në rrugët e tjera të arsimit. Por, siç thekson Fation Dragoshi, Menaxher i Projektit “Aftësi për Punë” (S4J), realiteti po ndryshon dhe Arsimi Dual është një nga shembujt më të qartë të këtij ndryshimi.
Ndryshimi nuk lidhet me një kurs apo një shkollë të vetme. Ai ka të bëjë me mënyrën se si funksionon i gjithë sistemi dhe, mbi të gjitha, me mënyrën se si arsimi lidhet me botën e punës.
Në modelin e Arsimit Dual, bizneset nuk janë më vetëm punëdhënësit e ardhshëm të të diplomuarve. Ato bëhen pjesë aktive e procesit të të nxënit: kontribuojnë në formimin e përmbajtjes mësimore, presin nxënësit në mjedise reale pune dhe i paguajnë gjatë periudhës së praktikës. Në të njëjtën kohë, shkollat profesionale ndërtojnë marrëdhënie të qëndrueshme me bizneset, duke e afruar arsimin me kërkesat reale të tregut të punës.
Kjo krijon një rrugë të ndryshme për të rinjtë. Një kualifikim profesional mund të çojë drejt një vendi pune të mirëpaguar, drejt kualifikimeve të mëtejshme, drejt universitetit, veçanërisht universiteteve të shkencave të aplikuara, ose drejt ngritjes së një biznesi personal.
Ndiqni videon më poshtë për më shumë.