Aktivitete strategjike në Javën e Praktikave Profesionale 2021

Aktivitete strategjike në Javën e Praktikave Profesionale 2021

Për herë të parë, ofruesit partnerë të S4J i kanë planifikuar shumë nga aktivitetet e Javës së Praktikave Profesionale në mënyrë strategjike për të adresuar problematika që kanë dalë në pah nga raportet e gjurmimit. Nga dt. 22-26 nëntor, u organizuan 56 aktivitete nga 9 shkollat partnere të S4J, ku u përfshinë më shumë se 1800 nxënës. Disa nga llojet e aktiviteteve që mund të veçojmë, janë:

  • Aktivitete për promovimin dhe rëndësinë e praktikave profesionale;
  • Konkurse midis nxënësve;
  • Vizita të bizneseve në shkollë;
  • Vizita shkëmbimi mes shkollave;
  • Panaire;
  • Vizita në shkollat partnere si dhe në kompanitë ku kryhet praktika profesionale nga nxënës të shkollave 9 vjeçare;
  • Sesione ku më shumë se 12 gra sipërmarrëse, anëtare të Dhomës Ekonomike të Gruas, u treguan nxënësve rrugëtimin e tyre profesional.

Shkolla “Kolin Gjoka”

Shkolla “Kolin Gjoka” organizoi një panair ku morën pjesë si vizitore dy shkolla 9-vjeçare. Në panair u prezantuan punët e nxënësve, ku së bashku me ta ishin edhe mentorët e bizneseve.

Gjatë gjithë Javës së Praktikave Profesionale në shkollën “Kolin Gjoka” u ftuan mentorë biznesesh për të folur mbi rëndësinë e orientimit profesional dhe zhvillimit të aftësive praktike përmes praktikave profesionale në të gjitha drejtimet e ofruara nga shkolla.

Shkolla “Hamdi Bushati”

Shkolla “Hamdi Bushati” pati në fokus promovimin e aftësive praktike të nxënësve përmes organizimit të panairit në shkollë, konsolidimit të marrëdhënieve me bizneset lokale dhe vizita në kompani në artizanat.

Shkolla Tregtare Vlorë

Shkolla Tregtare Vlorë organizoi aktivitete me nxënësit si showcase për aftësitë e tyre praktike që janë përvetësuar në shkollë dhe kompani, si dhe ftoi përfaqësues kompanie në shkollë për t’u treguar nxënësve rrugëtimin e tyre në biznes.

Shkolla Teknike Ekonomike Tiranë

Shkolla organizoi një sfilatë mode me punët e nxënësve të drejtimit “Tekstil-Konfeksion”. Përfaqësues nga biznesi patën sesione orientuese me nxënësit për rrugëtimin e tyre profesional dhe rëndësine e praktikave. Gjithashtu, pati edhe vizita shkëmbyese mes stafeve të shkollave. Stafi i SHTET zhvilloi një vizitë në shkollën “Hamdi Bushati” në Shkodër, ndërsa stafi i shkollës “Salih Çeka” vizitoi ambientet e SHTET.

Shkolla “Gjergj Canco”

Në shkollën “Gjergj Canco” ndër të tjera u organizua edhe konkursi i projekteve novatore të nxënësve, me praninë e bizneseve në rolin e jurisë. Projekti fitues mori një dhuratë nga kompania Abiesse, anëtare e jurisë.

Share This Article: