Programimi në shkollat profesionale. 98 nxënës të TIK-ut fillojnë programin e praktikës profesionale në distancë.

Programimi në shkollat profesionale. 98 nxënës të TIK-ut fillojnë programin e praktikës profesionale në distancë.

Kompanitë e TIK në Shqipëri po hasin vështirësi në gjetjen e punëtorëve të kualifikuar, veçanërisht në fushën e programimit, një treg që vitet e fundit është duke u zgjeruar me shpejtësi. Kjo është një shenjë e qartë për shkollat që të fillojnë të mendojnë se si t’i pajisin nxënësit e tyre me aftësitë e duhura në kohën e duhur për t’i shërbyer nevojave të industrisë.

Tani për tani, programimi si një drejtim ofrohet kryesisht në universitete. Një studenti i duhen disa vjet për të fituar aftësitë e duhura për të hyrë në tregun e punës si programues të kualifikuar.

Vetëm 2 shkolla profesionale e kanë përshtatur programimin si drejtim në ofertën e tyre. Frymëzuar nga ky shembull dhe në bashkëpunim me kompanitë lider në industri, projekti ‘Aftësi për Punë’ S4J është i vendosur që ta bëjë programimin pjesë të ofertës së shkollave profesionale në Shqipëri.

Në nëntor të vitit 2017, projekti u bashkua me 11 kompani lider në fushën e  TIK-ut me qendër në Tiranë, të cilat u angazhuan për ofrimin e praktikave profesionale afatgjata për nxënësit e AFP-së në shkollën “Kolin Gjoka” në Lezhë dhe në shkollën industriale “Pavarësia” në Vlorë. Meqenëse TIK i lejon njerëzit të punojnë kudo që janë, zgjidhja u mendua të ishte modeli i praktikave profesionale në distancë. Vodafone, New Media Communication, Facilization, Landmark, Albanian Business Partner, Dentem, ATIS, Gjeo-Vjosa, Tech360, CEI, Big Media Expert, janë kompanitë e para nismëtare të këtij modeli.

Pas nënshkrimit të Memorandumeve të Mirëkuptimit midis shkollave profesionale dhe kompanive TIK në muajin shkurt, nxënësit e TIK-ut nga të dyja shkollat u prezantuan me mentorët dhe detyrat e tyre.

Modeli i praktikës profesionale afatgjatë filloi të funksionojë në fillim të muajit mars 2018. Nxënësit angazhohen çdo javë në seanca të praktikës profesionale me mentorë të biznesit në Papion, një platformë komunikimi online e cila u zgjodh për të lehtësuar bashkëpunimin midis mentorëve në kompani, nxënësve dhe mësuesve, duke i mbështetur ato.