
Mësuesit e shkollës “Gjergj Canco” dhe shkollës “Teknike – Ekonomike” trajnohen për mësimin e kombinuar
Nga Projekti “Aftësi për Punë” (S4J), përgjatë periudhës tetor – nëntor u zhvillua faza e parë e trajnimit “Mësimi i Kombinuar në Praktikë”. Ky trajnim fillimisht u realizua me disa prej mësimdhënësve në dy prej shkollave partnere të projektit. Konkretisht, nga Shkolla Teknike Ekonomike Tiranë morën pjesë 15 mësues dhe nga Shkolla Teknike Elektrike “Gjergj Canco” morën pjesë 10 mësues. Në total u kapacituan 25 mësimdhënës.
Kjo fazë e trajnimit zgjati tri ditë, me një total prej 9 orësh në mjediset e shkollës, me praninë e trajnuesve. Formati i trajnimit u konceptua dhe u realizua mbështetur në mësimin e kombinuar, duke ndërthurur veprimtari ballë për ballë me ato online, ku përveç veprimtarive në klasë trajnimi përfshiu edhe veprimtari të tjera në kuadër të punës së pavarur online të secilit pjesëmarrës, në formë asinkrone.
Qëllimi kryesor i këtij trajnimi ishte aftësimi i mësimdhënësve në drejtim të aplikimit të mësimit të kombinuar në orën e mësimit dhe përtej saj. Trajnimi u fokusua në tematika si: koncepte, kritere dhe parime të mësimit të kombinuar; modelet e ndryshme të mësimit të kombinuar (aplikimi, avantazhet, disavantazhet) dhe faktorët që ndikojnë në përzgjedhje; mjedisi mësimor virutal dhe burimet e hapura edukative (OER); monitorimi i nxënësve në mjedisin virtual; vlerësimi i nxënësve në mësimin e kombinuar; përfitimet nga mësimi i kombinuar; sfidat e mësimit të kombinuar; modele konkrete të aplikimit të mësimit të kombinuar. Të gjitha materialet e trajnimit u digjitalizuan në platformën edukative MësoVet, duke krijuar dhe kursin e parë virtual për këtë target grup.
(https://mesovet.al/course/view.php?id=505)
Faza e dytë e trajnimit përfshin asistimin e trajnuesve në planifikimin, realizimin dhe implementimin e një ore mësimore të kombinuar me disa prej mësimdhënësve të përzgjedhur pranë dy institucioneve arsimore.