Ekspertët e Transferimit: Gati për të shpërndarë eksperiencën në sistemin e AFP
Ekspertët e transferimit nga shkollat partnere të projektit “Aftësi për Punë” (S4J) janë gati të ndajnë eksperiencën e tyre me shkollat e tjera të sistemit.
Gjatë workshop-it të organizuar në nëntor 2024, u prezantua qasja e transferimit në shkollat profesionale dhe roli i ekspertëve në këtë proces. Takimi shërbeu gjithashtu si hap i parë për përgatitjet e Shkollës Dimërore 2024, ku ekspertët e transferimit kishin një rol kyç në ndarjen e praktikave më të mira.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Znj. Etleva Gjelaj, Drejtore e Drejtorisë së Menaxhimit të AFP pranë Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, theksoi:
“Ju keni përgjegjësinë për shpërndarjen e eksperiencës së fituar gjatë këtyre viteve në shkollat e tjera, por do të donim që kjo eksperiencë të unifikohej fillimisht brenda institucionit tuaj. Në fokus për periudhën 2025-2026 duhet të jenë stafet mësimore të shkollave dhe puna me çdo mësues, në mënyrë që të garantohet cilësia.“
Ky proces është një hap i rëndësishëm drejt rritjes së kapaciteteve të shkollave profesionale dhe sigurimit të një standardi të unifikuar për cilësinë e mësimdhënies.












