Projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim e Bashkëpunim SDC
Nga klasa në punë: 7 kualifikime të reja duale në arsimin profesional - Featured Image

Nga klasa në punë: 7 kualifikime të reja duale në arsimin profesional

Arsimi profesional në Shqipëri po përjeton një transformim thelbësor: duke filluar nga viti shkollor 2025–2026, të rinjtë do të kenë mundësinë të ndjekin 7 kualifikime të reja duale, që i përgatisin për tregun e punës përmes të nxënit në shkollë dhe në biznes njëkohësisht. Në këtë model, nxënësit kalojnë 3 ditë në javë në kompani partnere, duke u përgatitur profesionalisht në kushte reale pune – një qasje që rrit cilësinë e formimit dhe punësueshmërinë e tyre pas përfundimit të studimeve.

Kualifikimet e reja për vitin 2025–2026 përfshijnë:

  1. Instalime elektrike civile dhe industriale – dual (1-vjeçar, Niveli III)
  2. Menaxhim i furnizimit dhe logjistikës – dual (4-vjeçar, Niveli IV)
  3. Menaxhim eventesh – dual (1-vjeçar, Niveli V)
  4. Diagnostikim – menaxhim në autoservis – dual (1-vjeçar, Niveli V)
  5. Dizenjim mode – dual (2-vjeçar, Niveli V)
  6. Menaxhimi i shërbimit të ushqimit dhe pijeve – dual (1-vjeçar, Niveli V)
  7. Energji e rinovueshme – dual (1-vjeçar, Niveli V)

Pesë kualifikimet e para janë zhvilluar nga Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve (AKAFPK) me mbështetjen e projektit “Aftësi për Punë” (S4J) dhe me kontributin e mbi 40 ekspertëve të industrisë, të cilët kanë ndihmuar në hartimin e standardit të profesionit e të kualifikimit si dhe skeletkurrikulës përkatëse gjatë periudhës maj – nëntor 2025. Ekspertët e angazhuar vijnë nga kompani të mirënjohura, si: BALFIN Group (Jumbo, Milsped Albania, ACREM, BALFIN Development), Marketing & Distribution, Sky Logistics, Kuehne & Nagel Albania, Agjenci Doganore BEN IMPEX & CO, Geraldina Sposa, Landmark Communication, Le Spot Group, Iceberg Exhibitions, Rogner Hotel, MAK Hotel Tirana, Plaza Hotel, Hilton Garden, Anila Zajmi Atelier, Anila Konomi Atelier, Albanian Craftsman Education, Prodyn Albania, Mektrin Motors, OSHEE, KESH dhe ALPEX.

Skeletkurrikulat për këto kualifikime mund të aksesohen në faqen zyrtare të AKAFPK-së.

Share This Article: