
Përfundimi i procesit të hartimit dhe digjitalizimit të materialeve mësimore – një sukses për arsimin profesional në Shqipëri
Mungesa e teksteve shkollore si dhe mësimi në distancë gjatë pandemisë solli revolucionin në mënyrën e të mësuarit. Përgjatë dy viteve të fundit është punuar në mënyrë intensive për të pasuruar platformën MësoVET me materiale digjitale. Ky proces përfshiu mësues, ekspertë pedagogjike dhe ekspertë të digjitalizimit të cilët krijuan materiale mësimore digjitale interesante e interaktive, që u përshtaten nevojave të nxënësve, si dhe lehtësuan mësimdhënien gjatë periudhës së pandemisë.
Me iniciativën e projektit Aftësi për Punë (S4J) dhe kontributin e mësuesve nga shkollat tona partnere, kemi zhvilluar me sukses lëndë dhe module nga drejtime të ndryshme si Ekonomi-Biznes, Hoteleri-Turizëm, Elektroteknikë dhe TIK.
- Në drejtimin Ekonomi-Biznes janë zhvilluar 28 lëndë me ndihmën e 14 mësuesve ekspertë të fushës.
- Në drejtimin Hoteleri-Turizëm janë zhvilluar 11 lëndë dhe 30 module me ndihmën e 11 mësuesve ekspertë të fushës.
- Në drejtimin Elektroteknikë janë zhvilluar 6 lëndë me ndihmën e 7 mësuesve.
- Në drejtimin TIK janë zhvilluar 5 lëndë dhe 10 module me ndihmën e 3 mësuesve.
Për të finalizuar procesin e zhvillimit të materialeve mësimore digjitale, S4J zhvilloi në muajin tetor javën maratonë të prezantimeve të materialeve për drejtimin hoteleri – turizëm dhe ekonomi – biznes. Kjo maratonë prezantimesh kishte për qëllim informimin e mësuesve të shkollave të mesme profesionale mbi disponueshmërinë e materialeve mësimore të lëndëve dhe moduleve, ndërgjegjësimin e tyre mbi avantazhet dhe lehtësitë që krijon për mësuesit dhe nxënësit shfrytëzimi i materialeve mësimore digjitale; si dhe nxitjen e përdorimit të materialeve digjitale gjatë orës së mësimit, në kuadër të aplikimit të mësimit të kombinuar. Mësuesit hartues prezantuan lëndën e tyre duke u ndalur tek: përmbajtja, paraqitja e kursit dhe mënyrat sesi ata sugjeronin që të përdorej platforma me nxënësit në klasë dhe jashtë saj. Në këtë fazë të parë të saj u prezantuan lëndët vetëm nga drejtimet Hoteleri-Turizëm dhe Ekonomi Biznes të cilat kanë një numër të konsiderueshëm kursesh në platformën Mësovet.
Hoteleri-Turizëm
Ekonomi Biznes