
Përse mbështetja vetëm në tekstin mësimor nuk është e mjaftueshme
Në Shqipëri, tekstet mësimore janë konsideruar gjithnjë si “baza e sigurisë” së procesit mësimor, si për mësuesit, të cilët shpesh mbështeten tërësisht në to për dhënien e njohurive të reja, zhvillimin e veprimtarive mësimore dhe realizimin e vlerësimit, ashtu edhe për nxënësit, të cilët shpesh janë të interesuar të dinë vetëm se për çfarë do të pyeten gjatë orëve të mësimit apo se çfarë mund të përfshihet në provimet që kryejnë. Nga ana tjetër, mësuesit që zhvillojnë lëndë për të cilat teksti mësimor mungon, e shohin veten të disavantazhuar krahasuar me kolegë të tjerë, duke “vuajtur” mungesën e sigurisë që teksti mësimor ofron.

Ndërkohë, në mbarë botën, me përfshirjen gjithnjë e më të madha të teknologjisë në mësimdhënie dhe të nxënë (aplikacione, mjete, platforma, etj.), si dhe me evolucionin e metodave mësimore, të cilat sot vendosin në qendër nxënësin dhe udhëhiqen nga parimi i interaktiviteti, përshatja me nevojat dhe interesat e nxënësit, nxitjes së mendimit kritik dhe krijues, etj., po ngulet këmbë mbi rëndësinë e një qasjeje të re ndaj tekstit mësimor, duke e parë me sy kritik mënyrën e përdorimit të tij. Natyrisht, shkalla e mbështetjes mbi tekstin mësimor varet nga një sërë faktorësh, si: cikli dhe programi i studimit, natyra e lëndës dhe synimet e saj dhe deri te niveli i përgatitjes dhe eksperienca e mësimdhënësit. Megjithatë, pavarësisht këtyre faktorëve, gjithnjë e më shumë studiues, ekspertë pedagogjikë, mësimdhënës etj., por edhe nxënës e studentë, po binden se vetëm prania e një teksti mësimor (edhe pse vlerat e tij nuk mund të mohohen) nuk është më e mjaftueshme për një proces mësimdhënës dhe të nxëni efikas.
Do të donim t’jua linim ju në dorë të gjykoni konkretisht se në ç’shkallë dhe në ç’mënyrë duhen përdorur tekstet mësimore, ndaj më poshtë po ju paraqesim një listë me avantazhe dhe disavantazhe lidhur me rolin që kanë tekstet mësimore në procesin mësimor, si dhe disa këshilla për t’i përdorur ato siç duhet.
Avantazhet e teksteve mësimore
- Kanë kaluar në filtra të ndryshëm që garantojnë cilësinë e tyre.
- Janë shumë të vlefshëm për mësuesit që sapo kanë filluar ta ushtrojnë profesionin.
- Ofrojnë për mësuesit sigurinë e të paturit të materialit bazë për çdo temë, ku të mbështeten për organizimin e ores mësimore.
- Janë orientues në zhvillimin e një ore mësimore, duke treguar se çfarë të bësh dhe kur ta bësh.
- Kanë materiale të gatshme dhe të sistemuara, të cilat, në të kundërt, do të duhej të kërkoheshin, konceptoheshin dhe hartoheshin nga vetë mësimdhënësi.
- Ofrojnë njëfarë sigurie për nxënësit dhe studentët, të cilët kanë një material bazë ku të mbështetin studimet e tyre.
Disavantazhet e të mbështeturit vetëm në tekste mësimore
- Mbështetja vetëm në tekstin mësimor e pengon mësuesin të marrë në konsideratë burime të tjera informacioni, të përfshijë veprimtari të tjera mësimore dhe instrumente alternative vlerësimi.
- Është e vështirë që tekstet mësimore të botohen aq shpesh sa të ndjekin ritmin e zhvillimeve të fushës, sidomos në fusha dhe lëndë ku këto dinamika janë më të fuqishme.
- Gabimet që një tekst mund të përmbajë, mund të ndikojë në përcjelljen jo të saktë të koncepteve, fakteve, dukurive apo proceseve, jo vetëm te nxënësit apo studentët, por edhe te mësimdhënësit, duke i besuar asaj që teksti thotë.
- Mbulimi i koncepteve të caktuara apo elementeve të tjera të përfshira në tekst jo gjithnjë është i plotë dhe mbështetja vetëm në tekst mund të krijojë mangësi në njohuritë dhe aftësitë me të cilat nxënësit dhe studentët duhet të pajisen.
- Shpesh, pyetjet e përfshira në tekst mbulojnë nivelet më të ulëta të taksonomisë së Bloom-it, si dhe rrallë nxitin mendimin ndryshe, të bazuarit në situata reale apo zgjidhjen të problemeve konkrete.
- Në pjesën më të madhe të rasteve, në tekst gjenden të gjitha përgjigjet e pyetjeve që përfshihen aty dhe kjo frenon punën hulumtuese të nxënësit në burime të tjera informacioni, si dhe u krijon përshtypjen se të nxënët është një grumbullim përgjigjesh të sakta.
- Në disa raste, tekstet mësimore janë voluminoze, me mbingarkesë në tekst, fraza të ndërlikuara dhe terma të vështirë, ndaj në sytë e nxnënësve dhe studentëve shpesh duken “të frikshëm”, duke i stepur dhe demotivuar ata.
- Një koncept apo çështje shihet nga nxënësit vetëm në një këndvështrim: ashtu siç e paraqet teksti.
- Nxënësve mund t’u krijohet përshtypja se të nxënit është thjesht lexim teksti dhe vëzhgim figurash.
- Teksti mësimor është një për të gjithë dhe kur mbështetemi vetëm në të, rrafshojmë profilet e nxënësve, nivelin e tyre në hyrje, ashtu si dhe nevojat dhe interesat e tyre.
- Shpesh, tekstet nuk arrijnë të situata reale, të përditshmërisë së nxënësve.
- Puna e pavarur e nxënësve bazuar vetëm në tekstin mësimor është pasive dhe shtyn drejt të mbajturit mend dhe riprodhimit mekanik.
- Shumë tekste mësimore bazohen te karakteristikat dhe prirjet e shumicës dhe të asaj që konsiderohet si “normale” nga shoqëria, pa marrë parasysh ngjyrimet në aspektin etnik, racial, gjinor, seksual, të aftësive etj., duke mos qenë gjithëpërfshirës.
Këshilla për ta përdorur një tekst mësimor në mënyrë “inteligjente”:
- Mbani mend se tekstet shkollore janë një mjet mësimor, i cili, sado i vlefshëm të jetë, mbetet një mjet dhe duhet përdorur si i tillë në një gamë të gjerë mjetesh të tjera.
- Konsiderojeni tekstin më tepër si një orientues apo guidë që tregon se çfarë duhet përcjellë te nxënësi dhe në ç’radhë dhe jo si i vetmi burim për pajisjen e tij me njohuri dhe aftësi.
- Sugjerojuni dhe ofrojuni nxënësve një sërë burimesh të tjera informacioni, si dhe përfshini mjete dhe metoda të ndryshme në procesin mësimor, përtej kuadrit të tekstit.
- Krijoni mbi bazën e tekstit dhe burimeve të tjera, materiale mësimore online, të disponeshme në platforma digjitale, për një produkt të përshtatur me nevojat dhe interesave të nxënësve, ndërveprues dhe që nxit mënyra bashkëkohore të të nxënit.
- Përditësoni nxënësit në lidhje konceptet, faktet apo idetë në tekst me fjalën më të fundit të zhvillimit të fushës përkatëse.