Procesi i planifimit afatmesëm 2023: Përshtypjet e stafit të shkollave

Procesi i planifimit afatmesëm 2023: Përshtypjet e stafit të shkollave

Procesi i planifikimit afatmesëm, pra për 4-vjeçarin në vijim, këtë vit ka qenë më i organizuar dhe interaktiv. Për të mësuar më shumë mbi këtë proces, kemi marrë disa nga përshtypjet e stafit të shkollave partnere.

“Procesi i planifikimit strategjik duket si fjalë e madhe, por në fakt ndryshimi vjen nga gjëra të vogla. Grupi i përcaktuar për procesin e planifikimit në shkollën tonë po rritet duke përfshirë shkëmbimin e përvojave me shkollat e tjera profesionale dhe ekspertë të projektit S4J. Jam i bindur që secila shkollë do të ketë planifikim shumë herë më të mirë sesa po ta hartonte atë individualisht.”

Ferik Koçi, drejtor i shkolles “Kristo Isak” në Berat

Rudina Gjoka, Përgjegjëse e Njësisë së Zhvillimit në shkollën “Kolin Gjoka” në Lezhë na tregon për risitë që solli ky vit shkollor në procesin e planifikimit afatmesëm.

“Këtë vit, procesi i planifikimit afatmesëm është shumë herë më i organizuar. Që në fillimin e punës nga grupi i hartimit e monitorimit të planit, kemi pasur ekspertizën e nevojshme, qoftë për mbledhjen e të dhënave për analizën e situatës ku kemi marrë trajnime nga specialistë të INSTAT, e deri tek konsultimi me aktorë të tjerë të interesit.”

Ndërkohë, drejtoresha e shkollës “Hamdi Bushati”, Merita Zeneli, flet për rëndësinë e gjithëpërfshirjes në procesin e planifikimit afatmesëm.

“Plani afatmesëm është plani më i rëndësishëm që harton institucioni. Për shkollën “Hamdi Bushati” në procesin e planifikimit ka shumë rëndësi përfshirja e komunitetit, si prindërit dhe bizneset. Në fakt, bizneset janë aktorët kryesorë në këtë proces, sepse fokusi ynë kryesor është zhvillimi i praktikës profesionale në kompani.”

Drejtoresha e shkollës “Ali Myftiu” në Elbasan, Refiko Lushjani, na tregon për njërin nga prioritetet strategjike të institucionit që drejton.

“Njëri nga prioritetet që kam për zemër është rritja e cilësisë së arsimit profesional. Duke arritur standarde më të larta, do të mund të frenojmë fenomenin e largimit të nxënësve jashtë vendit.”

Share This Article: