Aftësitë e buta në mësimdhënie: Ndarje përvojash dhe perspektiva për të ardhmen

Aftësitë e buta në mësimdhënie: Ndarje përvojash dhe perspektiva për të ardhmen

Integrimi i aftësive të buta në mësimdhënie kërkon një qasje të gjerë që shkon përtej përgatitjes dhe vlerësimit të njohurive të marra në lëndë të kulturës së përgjithshme, lëndë të kulturës profesionale dhe praktikave mësimore. Përveç tyre, nevojitet identifikimi dhe theksimi i rëndësisë së këtyre aftësive në çdo element të procesit të mësimdhënies dhe komunikimit në shkollë. Këtu përfshihet nxitja e marrëdhënieve pozitive mes mësuesve dhe nxënësve, bashkëpunimi mes të rinjve, forcimi i marrëdhënieve mes nxënësve dhe drejtuesve të shkollës, si dhe komunikimi efektiv mes prindërve dhe mësuesve.

Projekti “Aftësi për Punë” në bashkëpunim me qendrën “Human Development Promotion Center” (HDPC) organizoi në 6 mars një takim me fokus ndarjen e përvojave dhe diskutimin mes aktorëve, në ambientet e shkollës “Gjergj Canco” në Tiranë. Ky aktivitet bashkoi pjesëmarrës nga institucione si Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve (AKAFPK) dhe Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar (ASCAP), drejtues, mësues dhe nxënës nga shkollat partnere, si dhe përfaqësues të biznesit.

Takimi kishte në fokus prezantimin e qasjes së ndjekur dhe arritjet e deritanishme në integrimin e aftësive të buta në kurrikul nga shkolla “Gjergj Canco”. Mësues të kësaj shkolle treguan se si i kanë integruar aftësitë e buta në procesin e mësimdhënies. Përmes nje qasjeje ndërdisiplinore, ata kanë arritur me sukses t’i përmirësojnë planet ditore, për një zhvillim integral të aftësive të buta përmes teknikave mësimore dhe instrumenteve të vlerësimit.

Gjatë punës në grupe u diskutua mbi planin e punës në vazhdim me shkollat e tjera partnere, si dhe për institucionalizimin e qasjes së shkollës “Gjergj Canco”.