Aktivitete për Njësi Zhvillimi efikase dhe novatore

Aktivitete për Njësi Zhvillimi efikase dhe novatore

Në muajin prill u zhvillua trajnimi 2-ditor në nivel kombëtar për koordinatorët e marketingut dhe të orientimit e këshillimit në karrierë në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive. Gjatë trajnimit, koordinatorët e marketingut të shkollave partnere me S4J ndanë përvojat e tyre dhe shërbyen si mentorë në grupe pune me koordinatorë të shkollave të tjera jo partnere. Koordinatorët e orientimit e këshillimit në karrierë shkëmbyen mbi veprimtaritë e këshillimit të maturantëve, të zgjedhjes së profilit dhe orientimit të shkollave 9-vjeçare.

Për të arritur një menaxhim dhe koordinim të mire, njësitë e zhvillimit të ofruesve partnerë u kapacituan mbi parimet e monitorimit e matjes së rezultateve (MMR) dhe u pajisën me instrumente konkrete të monitorimit periodik me qëllim adresimin në kohë të devijimeve nga plani. Për mënyrën e ndërtimit të treguesve të suksesit sipas zinxhirit të rezultateve dhe planit të monitorimit, u përdorën parimet e konsoliduara të MMR në Swisscontact.

Ndërkohë, mbaroi cikli me 4 webinare për kapacitimin e koordinatorëve të zhvillimit të projekteve nga shkollat partnere nën moderimin e menaxherit të projektit S4J, Fation Dragoshi. Gjatë këtyre javëve u diskutua për projekt idetë, komponentet e propozimit, si të kërkohet për mundësi financimi, dhe në fund u prezantuan projekt idetë.

Së fundi, me qëllim ndarjen e eksperiencave për shërbimin që Njësia e Zhvillimit u ofron nxënësve, u zhvillua një seri me 4 webinare me Koordinatorët e Orientimit e Këshillimit në Karrierë fokusuar në instrumente praktike për: orientimin e klasave të 9-a, këshillimin e nxënësve për zgjedhjen e profilit, këshillimin e maturantëve dhe portalet e punësimit.