
E-VET për Shqipërinë 2030: Një hap më tej drejt modernizimit të AFP
Më 18 prill, u organizua në formë hibride dëgjesa publike: “E-VET për Shqipërinë 2030”, si një hap më tej drejt modernizimit të AFP. E udhëhequr nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, kjo iniciativë u zbatua nga Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, mbështetur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim e Bashkëpunim, projekti “Aftësi për Punë” S4J dhe programi “Skills Development for Employment Programme” SD4E i UNDP.

Qëllimi i këtij aktiviteti ishte nxitja e transformimit të AFP përmes ndarjes së eksperiencave, mendimeve, sfidave dhe mundësive nga ana e palëve të interesit: përfaqësues nga institucionet e AFP-së në vend, përfaqësues të nxënësve dhe nga sektori privat.
Klevis Hysa, Drejtor i Përgjishëm i AKPA dhe Ejvis Gishti, Drejtore e Përgjithshme e AKAFPK, prezantuan një projekt-propozim të dizenjuar për nxitjen e modernizimit të AFP mbështetur në teknologjinë e informimit dhe komunikimit.


Më pas, ishte radha e pjesëmarrësve të jepnin mendime dhe të ngrinin pyetje lidhur me këtë proces, duke paraqitur edhe sfidat që ata hasin. Vëmendje të veçantë iu kushtua nxënësve, të cilët ishin shumë aktivë dhe frymëzues me vizionin e tyre për një AFP që t’i përgjigjet një brezi të rritur me teknologjinë.
Në fund të aktivitetit, u shënuan çështjet e diskutuara për t’u adresuar në vijim, në mënyrë që procesi të jetë sa më gjithëpërfshirës dhe t’u përgjigjet nevojave reale të palëve të interesit.
Ndiqni videot më poshtë për të mësuar më shumë mbi aktivitetin dhe mendimet e pjesëmarrësve.