
Fuqizimi i drejtuesve në AFP për një menaxhim më të mirë të institucioneve
Ka nisur me sukses Programi i Trajnimit për Trajnerë për Shkollën e Drejtorëve për Arsimin dhe Formimin Profesional.
Trajnerët u njohën me kontekstin ligjor dhe institucional që rregullon arsimin dhe formimin profesional dhe me tre modulet e para që do të ofrohen në programin e kualifikimit për drejtuesit e AFP.


Kjo iniciativë vjen si rezultat i bashkëpunimit mes projektit “Aftësi për Punë”, Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKAFPK) dhe Shkollës së Drejtorëve. Nisur që në vitin 2021, ajo ka si qëllim të përshtasë programin e kualifikimit me specifikat e institucioneve të arsimit dhe formimit profesional.
Qendra “Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar” (CSL) është themeluar si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe Ministrisë së Arsimit, Sporteve dhe Rinisë (MASR), me qëllim mbështetjen e zhvillimit profesional të drejtorëve / nëndrejtorëve në detyrë dhe kandidatëve për drejtues të institucioneve të arsimit parauniversitar publik dhe privat.
