
Histori suksesi nga nxënësit: Jusuf Rrustaj “The Inventor”
Falë rubrikës “Çkemi?”, ku ekipi i projektit “Aftësi për Punë” zhvillon takime online me nxënës të shkollave profesionale, jemi njohur edhe me nxënës që pavarësisht moshës arrijnë të na frymëzojnë. I tillë është dhe Jusuf Rrustaj, nxënës në shkollën “Gjergj Canco” në vitin e fundit të drejtimit TIK, profili Web Design.
Jusufi ose “The Inventor”, siç i pëlqen ta thërrasin, ka një mendje me ide kreative dhe gjeniale, sidomos në fushën e robotikës. Gjatë pandemisë, ai u frymëzua për të krijuar një robot dezinfektues për ambientet e jashtme të shkollës, me të cilin u shpall edhe fitues në një konkurs me projekte novatore. SPAC Protection Anticovid është roboti i cili kryen funksionin e SPAK-ut kundër “korrupsionit dhe krimit te organizuar”, por duke u marrë me një nivel mikrobiologjik, Covid-19.

Mendja dhe sjellja e Jusufit e bën atë një nxënës që dallon nga të tjerët. Ai ka realizuar shumë mini projekte novatore në teknologji dhe është vlerësuar në disa konkurse të fushës. Jusufi ka zhvilluar praktikën profesional pranë kompanisë “Albanian Business Partner”, ku i ka zhvilluar akoma më shumë aftësitë e tij në zhvillimin e faqeve web. Njëkohësisht, ai ka pasion edhe produksionin filmik dhe i pëlqen të filmojë dhe të krijojë montazhe. Jusufi është optimist për të ardhmen dhe për mundësitë që i ka krijuar shkolla profesionale. Për të, bota mund të bëhet më e mirë falë teknologjisë.