Projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim e Bashkëpunim SDC
Nga planifikimi tek dialogu: Shkollat e reja partnere hartojnë planet vjetore dhe konsultojnë vizionin për 2025–26 - Featured Image

Nga planifikimi tek dialogu: Shkollat e reja partnere hartojnë planet vjetore dhe konsultojnë vizionin për 2025–26

Në kuadër të mbështetjes për shkollat e reja partnere, projekti “Aftësi për Punë” (S4J) organizoi në qershor një workshop dy-ditor në ambientet e Shkollës Teknike Ekonomike Tiranë, me fokus hartimin e planeve vjetore institucionale.


Grupet e planifikimit dhe monitorimit të shkollave, së bashku me Ekspertët e Transferimit dhe stafin e S4J, bashkëpunuan për të përcaktuar objektiva konkrete në tre fusha kyçe:

  • Angazhimi i sektorit privat
  • Digjitalizimi
  • Zhvillimi organizativ

Përmes sesioneve plenare dhe punës në grupe, pjesëmarrësit analizuan të dhënat reale nga secila shkollë dhe ndërtuan objektiva të matshëm që do të udhëheqin veprimtaritë gjatë vitit shkollor. Në fjalët e tyre përshëndetëse, Z. Fation Dragoshi, Menaxher i Projektit S4J, dhe Znj. Etleva Gjelaj, Drejtore e Drejtorisë së Menaxhimit të AFP pranë Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, theksuan rëndësinë e planifikimit të bazuar në të dhëna dhe bashkëpunimit të ngushtë me aktorët e tregut të punës.

Konsultimi i planit vjetor me grupet e interesit

Pas hartimit të planeve, në Shkollën Teknike Ekonomike Tiranë u organizua në shtator një forum konsultimi për planin vjetor 2025–26, duke sjellë së bashku nxënës, prindër, mësues, biznese partnere dhe institucione. Ky proces, pjesë e sistemit të sigurimit të cilësisë dhe i bazuar në Manualin e Planifikimit, Monitorimit dhe Raportimit Vjetor e Afatmesëm, është shndërruar në një platformë të vlefshme për shkëmbimin e perspektivave.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Znj. Silvana Mjeda, përfaqësuese e Ambasadës së Zvicrës, theksoi angazhimin afatgjatë të Zvicrës për modernizimin e arsimit profesional në Shqipëri.