
Praktikat e mira gjatë rrugës drejt modernizimit të AFP
Mësim i kombinuar për angazhim të rritur të nxënësve
Në periudhën prill-maj pati një zhvillim mjaft pozitiv në arsimin profesional, pasi 27 mësues të lëndëve të përgjithshme dhe profesionale, të teorisë dhe praktikës, zhvilluan orë të hapura duke përdoruar qasje të mësimit të kombinuar. Përmes platformës virtuale “MësoVET”, mësuesit i angazhuan nxënësit duke përdorur një sërë teknikash, si: prezantime, kuice, video, lojëra, forume etj.
Duhet përmendur këtu profesionalizmi i mësuesve në veprimtaritë e larmishme mësimore me përdorimin e teknologjisë, dhe veçanërisht interesimi i lartë i nxënësve dhe pjesëmarrja e tyre aktive në këto veprimtari.

Zhvillimi i orëve u parapri nga një proces mentorimi dhe mbështetetje teknike dhe pedagogjike nga ekspertët e S4J, të cilët udhëhoqën përgatitjen e orëve të hapura së bashku me personat përgjegjës për digjitalizimin në secilën shkollë.
Të pyetur për mendimin e tyre, nxënësit shprehën preferencën e tyre për këtë qasje moderne në mësimdhënie. “Me thënë të drejtën, më pëlqejnë shumë forumi, videot, kuicet. E kam më të lehtë mësimin ashtu.” – shprehet një nga nxënësit e drejtimit “Shërbime Mjetesh Transporti”.

Megjithëse një pjesë e mësuesve që zhvilluan orët e hapura janë ende në hapat e para me mësimin e kombinuar, kjo nuk i pengoi të merrnin iniciativën dhe t’u ofronin nxënësve një orë më efektive dhe tërheqëse.
Zhvillimi i materialeve mësimore digjitale me standarde bashkëkohore
Gjatë muajit maj u zhvillua java maratonë e prezantimit të materialeve mësimore digjitale, ku secili prej 32 mësuesve të angazhuar në krijimin e këtyre materialeve u prezantoi kolegëve punën e tij.
Gjatë këtij viti ata kanë realizuar materiale mësimore për 55 lëndë në 5 drejtime të ndryshme, si: Teknologji Ushqimore, Ekonomi-Biznes, Mekanikë, Shërbime Mjetesh Transporti, Teknologji Informacioni dhe Komunikimi.

Këto materiale digjitale u bazuan tek disa kritere specifike duke iu përmbajtur parimeve didaktike me në fokus angazhimin, ndërveprimin dhe kreativitetin. Gjithashtu, ato janë krijuar në përputhje me kurrikulën dhe objektivat mësimore.