
Program trajnimesh për drejtuesit e institucioneve të AFP
Gjatë muajit dhjetor u firmos Marrëveshja e Bashkëpunimit mes Qendrës “Shkolla e Drejtorëve të Institucioneve të Arsimit Parauniversitar” (CSL), Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive dhe S4J, në kuadër të realizimit të Programit të Trajnimit të Detyrueshëm Përgatitor për drejtuesit e institucioneve të arsimit parauniversitar edhe për drejtuesit e institucioneve të AFP. S4J do të mbështesë përditësimin e moduleve të këtij programi në përshtatje me nevojat e kërkesat specifike të drejtuesve të institucioneve të AFP, risive në këtë sektor dhe modeleve më të mira, hartimin e manualit me modulet e përditësuara, si dhe kapacitimin e individëve që do të marrin pjesë në proces.
Marrëveshja u firmos nga Znj. Elira Demiraj (Çaushi), drejtoreshë e përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, Z. Geron Kamberi, Drejtor Ekzekutiv i Shkollës së Drejtorëve dhe Z. Fation Dragoshi, Menaxher Projekti i S4J.