Rrjeti alumni në shkolla

Rrjeti alumni në shkolla

Kudo që do t’ju çojë jeta profesionale, është bukur të kthehesh atje ku filloi gjithçka, të frymëzohesh vetë dhe të frymëzosh brezat e rinj, duke mbajtur lidhjet me shoqërinë e vjetër. Pikërisht për këtë arsye pse shkollat krijojnë grupet e ish-nxënësve (alumni). Ato synojnë të krijojnë një frymë bashkëpunimi midis të diplomuarve të shkollave për të promovuar institucionet, për të forcuar lidhjet midis ish-nxënësve, komunitetit dhe institucionit.

Por çfarë është rrjeti alumni?

Alumni përdoret për t’iu referuar nje grupi personash të diplomuar në një institucion shkollor. Çdo institucion shkollor mund të krijojë një rrjet alumni, formal ose informal. Ky rrjet mund t’i vijë në ndihmë institucionit duke ofruar shumëllojshmëri shërbimesh dhe përfitimesh. Paralelisht ai ndihmon të diplomuarit të mbajnë lidhjet me shkollën e të diplomuarit e tjerë dhe të krijojnë mundësi të reja bashkëpunimi brenda dhe jashtë shkollës.

A kanë shkollat profesionale një grup alumni?

Një nga shkollat që ka krijuar grupin alumni është shkolla “Kolin Gjoka”. Si pjesë e kësaj iniciative është dhe krijimi i një grupi në Facebook ‘’Alumni Kolins’’, si një platformë komunikimi dhe ndarje idesh e mundësish midis të diplomuarve. Kjo shkollë nuk e ka për herë të parë bashkëpunimin me të diplomuarit e saj, të cilët kanë qenë të pranishëm në evente dhe aktivitete të ndryshme, duke ndarë ekperienca dhe duke frymëzuar nxënës të rinj, por ky është një hap drejt formalizimit të saj.