Projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim e Bashkëpunim SDC
S4J në workshop-in rajonal të DC dVET 2025: 10 vite përvojë transformuese nga bashkëpunimi shkollë-biznes - Featured Image

S4J në workshop-in rajonal të DC dVET 2025: 10 vite përvojë transformuese nga bashkëpunimi shkollë-biznes

Më 22–23 tetor u zhvillua eventi rajonal që shënoi 10-vjetorin e DC dVET, ku rreth 100 ekspertë u mblodhën për të thelluar diskutimin mbi arsimin profesional dual në rajon. Ky event theksoi rëndësinë e bashkëpunimit konstruktiv ndërmjet ofruesve të AFP, bizneseve dhe aktorëve të politikë-bërjes, si dhe nevojën për të zhvilluar më tej modelin dual, në përputhje me dinamikat socio-ekonomike të dekadës së ardhshme.

Në këtë kuadër, projekti “Aftësi për Punë” (S4J) kontribuoi me perspektivën e Shqipërisë mbi transformimin e arsimit profesional dhe integrimin e modelit dual. Menaxheri i projektit, z. Fation Dragoshi, prezantoi rrugëtimin e S4J dhe ndikimin e projektit ndër vite në transformimin e shkollave profesionale dhe afrimin me sektorin privat.

Gjatë fjalës së tij, u ndal edhe në prezantimin e nismës së arsimit dual në Shqipëri, veçorive dhe përfitimeve që sjell për palët, duke treguar se ndryshimi sistemik ndodh aty ku takohen nevojat dhe angazhimi i aktorëve.

Eventi përfshiu diskutime dhe sesione bashkëpunuese, të cilat nxitën shkëmbimin e praktikave të mira dhe sollën ide të reja për përmirësimin e qëndrueshëm të sistemeve të arsimit dual në rajon.