
Shkollat profesionale si ndërmjetëse për punësimin e të rinjve
Gjatë dy viteve të fundit, shkollat partnere të projektit “Aftësi për Punë” janë kthyer në një burim rekrutimi. Kompani të ndryshme si dhe zyrat e punësimit i drejtohen vazhdimisht shkollave për të kërkuar punonjës. Gjatë vitit akademik 2020-2021, qasja ishte më e strukturuar duke synuar një balancim të efekteve të pandemisë në punësimin e të diplomuarve. Në secilën prej 9 shkollave partnere u vendosën kënde fizike punësimi të cilat pasurohen rregullisht me njoftime punësimi. Këto njoftime publikohen rregullisht edhe në rrjetet sociale të shkollave.
Njësitë e Zhvillimit krijuan procese dhe instrumente për të administruar kërkesat dhe për të lehtësuar aplikimet e nxënësve për punë. Në shkollën “Hamdi Bushati” u krijua një pike informacioni për njoftimet e punësimit dhe për të regjistruar nxënësit e interesuar për punësim. Nxënësve iu ofrua orientim dhe këshillim në karrierë, duke i ndihmuar të përgatisin një CV, letër motivimi dhe të sillen në një intervistë pune. Pas përvojës me përputhjen e praktikës, DU-të koordinuan seancat e intervistave, të organizuara kryesisht në ambientet e shkollës.
Të gjitha shkollat partnere të S4J e përfshinë iniciativën e këndeve të punësimit në planin e tyre vjetor. Për të shmangur mbingarkesën dhe për standardizimin e procesit, u zhvillua një protokoll me role, përgjegjësi dhe instrumente të qarta, duke përfshirë monitorimin dhe vlerësimin me synim matjen e rezultateve dhe përmirësimin e vazhdueshëm.