
Si ndihmon platforma MësoVET në konsolidimin e kompetencave kyçe
Në sistemin arsimor të ditëve e sotme, koncepti i kompetencave nuk lidhet thjesht me ato kognitive të fitura në një kuadër të ngushtë njohurish teorike apo teknike lidhur me fushën përkatëse, por edhe me ato kyçe, në plan digjital dhe ndërpersonal, të cilat tashmë po shndërrohen në standarde të mirëfillta për nxënësit për t’u intreguar të ardhmen në shoqëri dhe në tregun e punës. Në shkollimin e mesëm profesional, ku integrimi në këtë treg nis në moshë më të hershme dhe ku oferta e drejtimeve dhe e profileve orientohet sipas kërkesave të botës së biznesit, fitimi i këtyre kompetencave kyçe është thelbësor në sukses.
Në shkollat partnere të projektit “Aftësi për Punë”, mënyra e konceptimit të materialeve mësimore në platformën MësoVET dhe aktivitetet e ofruara në kuadër të temave të lëndëve, mbështetin konsolidimin e këtyre kompetencave. Ky proces realizohet si nëpërmjet lehtësimit të procesit të fitimit të kompetencave gjatë orës së mësimit të bazuar në platformë, ashtu edhe nëpërmjet përdorimit individual të saj nga nxënësi. Prania e forumeve, të aksesueshme në çdo kohë, bazuar në pyetje apo tematika që nxitin të analizën, interpretimin, prurjen e ideve origjinale dhe manifestimin e qëndrimeve personale, mbështetin komunikimin, të shprehurit në mënyrë argumentuese, si dhe të menduarit kritik e kreativ.
Këto kompetenca kyçe mprihen gjithashtu nëpërmjet realizimit të detyrave të ndryshme në grup, pjesëmarrjes në WIKI, ku nxënësit mund të punojnë bashkarisht për të njëjtin produkt, shkrimit të eseve etj., të gjitha pjesë e platformës. Të bazuarit në raste studimi, ku nxënësit gjejnë situata të jetës së përditshme, të praktikës profesionale apo të sferës së biznesit, shoqëruar me video, ilustrime dhe pyetje interpretuese, i ndihmon ata në drejtim të njohurive, qëndrimeve dhe shprehive të lidhura me të nxënit, jetën, sipërmarrjen etj.
Nga ana tjetër, realizimi i kuiceve në formë konkursi gjatë orës së mësimit, me feedback të menjëhershëm, përforcon te nxënësit kompetenca personale, në planin e të punuarit nën presion, menaxhimit të kohës, vetëndërgjegjësimit mbi nivelin dhe performancën vetjake dhe motivimit për t’u përmirësuar.
Ndërkohë, vetë përdorimi i platformës MësoVET për qëllim mësimdhënieje dhe të nxëni, por njëkohësisht edhe si një mjedis socializimi, ndërveprimi dhe shkëmbimi, konsolidon natyrshëm kompetencën digjitale, e cila po shtrihet në gjithnjë e më shumë profesione dhe forma pjesëmarrjeje dhe kontribuimi në shoqëri.