
Zhvillohet maratona e prezantimit të 55 lëndëve të reja në platfomën MësoVET
Një hap i rëndësishëm drejt digjitalizimit të procesit mësimor është ri-konceptimi i orës mësimore duke integruar dhe përdorur platforma digjitale të cilat lehtësojnë mësimdhënien dhe të nxënit për mësuesit dhe nxënësit. Siç tashmë është e njohur për komunitetin e arsimit profesional në Shqipëri, projekti Aftësi për Punë (S4J) në bashkëpunim me Praktika.al u angazhuan për të zhvilluar 55 lëndë të reja profesionale në 5 drejtime të ndryshme, përkatësisht TIK, Teknologji Ushqimore, Mekanikë, SHMT dhe Ekonomi-Biznes të cilat janë të disponueshme në platformën Mësovet. Në këtë nismë u përfshinë 32 mësues të cilët ndanë përshtypjet për procesin dhe prezantuan lëndët e tyre nëpërmjet sesioneve të dedikuara. Sesionet u zhvilluan online në platformën ZOOM në një hark kohor prej 30 minutash, përgjatë 1 jave (15 Maj-19 Maj).
Çdo sesion udhëhiqej nga një moderator i cili prezantoi mënyrën se si procesi ishte organizuar dhe shpjegoi kriteret që duhet të përmbushnin materialet mësimore digjitale. Kjo u mundësoi pjesëmarrësve një kuptim më të të qartë të standardeve dhe pritshmërive për cilësinë e tyre. Rrugëtimi i mësuesve gjatë maratonës së prezantimeve vuri në pah bashkëpunimin mes aktorëve të përfshirë në proces si ekspertë pedagogjikë dhe ekspertë digjitalizimi. Ata ndanë sfidat dhe zgjidhjet që përdorën bashkërisht gjatë procesit duke vënë theksin në bashkëpunimin mes palëve. Nëpërmjet demonstrimit të kurseve në platformën Mësovet, ata komunikuan në mënyrë efektive vlerën dhe rëndësinë e materialeve duke mbuluar konceptet kryesore, rezultatet e të nxënit dhe sesi ato mund të përdoren nga mësues të shkollave profesionale.
Linku i sesioneve: https://youtube.com/playlist?list=PLuAl9kfLMx3IEOqlNvGHZqxL5nErQhyYk