Projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim e Bashkëpunim SDC
Rritja e kapaciteteve në menaxhimin e burimeve njerëzore në institucionet e AFP-së - Featured Image

Rritja e kapaciteteve në menaxhimin e burimeve njerëzore në institucionet e AFP-së

Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA) në bashkëpunim me projektin “Aftësi për Punë” (S4J) organizoi trajnimin kombëtar të dedikuar menaxhimit të burimeve njerëzore në institucionet e arsimit dhe formimit profesional (AFP), me pjesëmarrjen e drejtorëve, specialistëve të burimeve njerëzore dhe koordinatorëve të zhvillimit të vazhduar profesional. Në trajnim morën pjesë edhe përfaqësues nga Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve (AKAFPK).

Gjatë ditës së parë, përfaqësuesit e AKPA prezantuan manualin për menaxhimin e burimeve njerëzore në institucionet e AFP-së dhe trajtuan shtyllat kryesore të këtij procesi: planifikimin e nevojave për staf, rekrutimin transparent dhe rolin e AKPA-s në monitorim. Pjesëmarrësit ndanë praktikat e mira dhe sfidat e hasura në punën e përditshme në shkollat profesionale.

Dita e dytë, e moderuar nga ekspertet Dalina Gjicali dhe Lediana Xhakollari, u fokusua në vlerësimin e performancës, përdorimin e instrumenteve dhe evidencave, si dhe planifikimin e zhvillimit të vazhduar profesional, nga analiza deri te monitorimi.

Ky aktivitet synon të forcojë kapacitetet e institucioneve të AFP-së për një menaxhim më transparent, efektiv dhe zhvillimor të burimeve njerëzore, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së arsimit profesional.

Share This Article: