
Epoka Digjitale në Arsimin Profesional
Projekti “Aftësi për punë” edhe në këtë vit të ri shkollor solli një frymë të re në arsimin profesional. Kohët mesa duket kanë ndryshuar po ashtu dhe metodologjia dhe perceptimi i nxënësve për mënyrat e të mësuarit. Tashmë mësimdhënia nuk perceptohet vetëm në modalitetin ballë për ballë, por gjithnjë e më shumë mësuesit dëshirojnë të integrojnë elementë të modalitetit online për ta bërë me interaktive dhe më efektive procesin e të mësuarit.
Platforma MësoVET, sjell një risi duke krijuar një mjedis virtual të të mësuarit, ku mund të gjenden materiale digjitale interaktive, hapësira për bashkëveprim online, forume, chat, kuice, të cilat konsiderohen nga mësuesit si instrumente të nevojshme në realizimin e këtij qëllimi. Për këtë arsye projekti ‘Aftësi për Punë’ (S4J) edhe këtë vit akademik ka vazhduar të asistojë mësuesit me mbështetje teknike duke realizuar trajnime dhe mentorime mbi funksionalitet dhe menaxhimin e këtij mjedisi virtual. Prioriteti jonë kryesor ka qënë asistimi dhe rritja e kapaciteteve të mësuesve në mënyrë që përdorimi i platformës të rritet.
E veçanta e këtij viti ishte shprehja e interesit të shkollës profesionale ‘Shën Jozefi Punëtor’ Rrëshen, një shkollë jo-partnere e projektit, për të bashkëpunuar në kuadër të përdorimit të platformës MësoVET për mësimdhënie. Për këtë arsye, më 5 nëntor 2021, në ambjentet e shkollës ‘Shën Jozefi Punëtor’ u realizua trajnimi ‘Përdorimi i platformës MësoVET për mësimdhënie’.
Qëllimi i këtij trajnimi ishte njohja me funksionalitetet e platformës dhe me materialet e ndryshme mësimore digjitale, si dhe qasja që mund të ketë mësuesi në përdorimin e tyre, duke integruar metodologjitë e reja të mësimdhënies. Falë pyetjeve të shumta dhe ndërveprimit, trajnimi u personalizua, duke iu përgjigjur kërkesave dhe nevoja që kishin mësuesit për të arritur një kuptueshmëri sa më të lartë të përdorimit të këtij mjedisi virtual të të mësuarit.