Projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim e Bashkëpunim SDC
Rrjeti i S4J zgjerohet – katër shkolla të reja drejt transformimit - Featured Image

Rrjeti i S4J zgjerohet – katër shkolla të reja drejt transformimit

Projekti “Aftësi për Punë” (S4J) ka hyrë në një fazë të re zgjerimi, duke mirëpritur katër shkolla profesionale që i bashkohen rrugëtimit për një arsim profesional më cilësor dhe të lidhur ngushtë me nevojat e tregut të punës:

  • Shkolla “Arben Broci”, Shkodër
  • Shkolla “Nazmi Rushiti”, Dibër
  • Shkolla “Stiliano Bandilli”, Berat
  • Shkolla Profesionale Teknike Korçë

Ky bashkëpunim i ri është një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të të rinjve përmes arsimit profesional praktik dhe novator.

Ekspertët e Transferimit: ura e dijes

Procesi i integrimit të shkollave të reja mbështetet nga Ekspertët e Transferimit, një rrjet profesionistësh të përzgjedhur nga shkollat ekzistuese partnere të S4J. Këta ekspertë luajnë rol kyç në shpërndarjen dhe zbatimin e praktikave më të mira të zhvilluara gjatë viteve të bashkëpunimit me projektin, duke siguruar që përvoja e fituar të kthehet në standard për të gjitha shkollat e rrjetit.

Më shumë informacion mbi Ekspertët e Transferimit mund të gjeni në faqen e dedikuar.

Workshop për përvijimin e partneritetit

Më 19–20 maj, S4J organizoi një workshop me përfaqësuesit e katër shkollave të reja dhe Ekspertët e Transferimit me fokus tek pritshmëritë reciproke dhe qasja e bashkëpunimit për dy vitet e ardhshme, duke nxjerrë në pah tre shtyllat kryesore të mbështetjes teknike:

  • Angazhimi cilësor i sektorit privat
  • Digjitalizimi
  • Zhvillimi organizativ

Në takim morën pjesë edhe përfaqësues nga Ambasada e Zvicrës dhe Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA), duke sjellë një perspektivë të gjerë dhe mbështetje për transferimin e praktikave më të mira.

Ceremonia e mirëseardhjes

Gjatë ceremonisë zyrtare të mirëseardhjes së shkollave të reja partnere, përfaqësues të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare ndanë vizionin e tyre për një arsim profesional që i përgjigjet nevojave reale të tregut të punës.

Menaxheri i projektit, Fation Dragoshi, theksoi vizionin për ndërtimin e një arsimi profesional të lidhur ngushtë me tregun e punës, duke u fokusuar në cilësi, digjitalizim dhe përfshirjen e sektorit privat si shtylla kyçe për modernizimin e arsimit profesional në Shqipëri.

Drejtorët e shkollave të reja ndanë pritshmëritë e tyre për këtë partneritet të rëndësishëm, ndërsa u nënshkruan edhe planet e aktiviteteve të përbashkëta.

Vizitat në shkollat e reja: energji dhe ide të reja

Në tetor, S4J së bashku me Ekspertët e Transferimit dhe përfaqësues të AKPA zhvilloi vizita dy-ditore në katër shkollat e reja partnere. Diskutimet u përqendruan tek:

  • Zhvillimi institucional dhe roli i Njësive të Zhvillimit
  • Monitorimi i planeve vjetore dhe rezultatet nga gjurmimi
  • Nxitja e dialogut mes shkollave dhe sektorit privat

Shkollat prezantuan planet vjetore për vitin 2025–26 dhe organizuan tryeza me bizneset për të fuqizuar praktikat profesionale cilësore.

Workshop i validimit me shkollat e reja

Më 4 dhjetor u zhvillua workshop-i teknik i validimit me katër shkollat e reja partnere me synimin e krijimit të një hapësire konstruktive për dialog, përqasjen e pritshmërive dhe harmonizimin e prioriteteve për vitin 2026.

Gjatë workshop-it u prezantuan fushat kryesore të ndërhyrjes së projektit, standardet e bashkëpunimit dhe mekanizmat e mbështetjes teknike, ndërkohë që përfaqësuesit e shkollave patën mundësi të kontribuojnë me nevojat dhe perspektivat e tyre për përmirësim.

Workshop-i u mbështet në një qasje gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunuese, duke synuar të sigurojë jo vetëm validimin teknik të fushave të bashkëpunimit, por edhe krijimin e një baze të përbashkët ku prioritetet dhe angazhimet e të dy palëve janë të ndërthurura në mënyrë të qëndrueshme.