Shqipëria ka nisur një transformim të rëndësishëm në arsimin profesional me zbatimin e modelit dual, ku teoria në shkollë ndërthuret me praktikën në kompani. Ky model, i mbështetur nga projekti “Aftësi për Punë” (S4J) dhe partnerët ndërkombëtarë, po krijon një rrugë të re për të rinjtë drejt punësimit dhe zhvillimit profesional.
Çfarë është arsimi profesional dual?
Modeli dual kombinon përfitimet e formimit teorik me përvojën praktike në vendin e punës. Nxënësit zhvillojnë në shkollë kulturën e përgjithshme dhe lëndët profesionale, ndërsa një pjesë të konsiderueshme të orëve javore – 6 deri në 8 orë në ditë, deri në 30 orë në javë – e kalojnë pranë punëdhënësve, sipas një plani të strukturuar të veprimtarive dhe me mbështetjen e mentorëve. Aktualisht, nxënësit janë të angazhuar në profile si:
- Multimedia
- E-Commerce
- Kuzhinë
- Recepsion
- Shërbime elektro-auto
- Instalime dhe mirëmbajtje e linjave të tensionit të ulët, mesëm dhe të lartë
- Instalime elektrike civile dhe industriale
- Menaxhim i furnizimit dhe logjistikës
- Menaxhim eventesh
- Diagnostikim – menaxhim në autoservis
- Dizenjim mode
- Menaxhimi i shërbimit të ushqimit dhe pijeve
- Energji e rinovueshme
Nga viti i parë tek sot: Arsimi dual hedh rrënjët në Shqipëri
Në vitin akademik 2024–2025, arsimi dual u zbatua për herë të parë në Shqipëri:
- 10 shkolla profesionale
- 6 rajone
- +200 nxënës
- +100 biznese partnere
Ky ishte një hap i parë i guximshëm drejt një modeli që kërkon bashkëpunim të ngushtë mes shkollave dhe sektorit privat. Vetëm një vit më vonë, arsimi dual është kthyer në një histori suksesi:
- 15 shkolla profesionale
- 9 rajone
- +400 nxënës
- +250 biznese partnere
Një transformim i plotë
Ky proces ka qenë sfidues, por edhe një dëshmi e vullnetit dhe përkushtimit të aktorëve për ta bërë të mundur. Janë ndërmarrë hapa për:
- Krijimin e një kuptimi të përbashkët mbi aspektet ligjore dhe përgjegjësitë
- Ndërtimin e një mënyre të re bashkëpunimi mes shkollave dhe kompanive
- Mbështetjen e kompanive partnere përmes takimeve kapacituese, për të përshtatur rolin e tyre si ofrues të mësimit praktik
Kompanitë janë angazhuar në zbatimin e kuadrit ligjor dhe në proceset e kontratës për mësimin e profesionit, nën mbikëqyrjen e mentorëve.
Me mbështetjen e Ambasadës së Zvicrës përmes projekteve “Aftësi për Punë” (S4J) të Swisscontact dhe Skills Development for Employment (SD4E) të UNDP Albania, arsimi dual është tashmë pjesë e strategjisë kombëtare të Shqipërisë, ndërtuar mbi cilësinë, bashkëpunimin dhe një vizion të përbashkët drejt vitit 2030 e më tej.

Konsolidimi i Arsimit Dual: Takimi teknik për strategjinë kombëtare
Për të siguruar një zbatim cilësor dhe zgjerim të qëndrueshëm, S4J organizoi në tetor një takim teknik me përfaqësues nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve, Ambasada e Zvicrës dhe UNDP Albania.
Diskutimet u përqendruan në tre drejtime kryesore:
- Analiza e situatës së arsimit dual në vitin e parë të zbatimit (2024–2025), bazuar në anketa me mësues, nxënës, mentorë dhe drejtorë
- Prezantimi i studimit nga Prof. Em. Dr. Dieter Euler (Universiteti St. Gallen, Zvicër) mbi zbatimin e arsimit dual dhe mësimet e nxjerra
- Hapat e ardhshëm dhe ndarja e roleve dhe përgjegjësive për konsolidimin e modelit
Takimi kontribuoi në vlerësimin e progresit dhe bashkërendimin e veprimeve strategjike, në koordinim me institucionet partnere, për të mundësuar një zgjerim dhe zbatim cilësor të arsimit profesional dual. Ky proces është thelbësor për ta kthyer arsimin dual në një standard kombëtar, duke siguruar që të rinjtë shqiptarë të përgatiten për tregun e punës me aftësi praktike dhe teorike të harmonizuara.


Çfarë pritet më tej?
Në vitet e ardhshme, pritet një zgjerim i qëndrueshëm i modelit dual, me:
- Zhvillimin e kurrikulave të reja
- Përfshirjen e më shumë shkollave dhe kompanive
- Kthimin e kësaj qasjeje në standard kombëtar për arsimin profesional