Trajnimi Kombëtar i Koordinatorëve të Zhvillimit të Kurrikulave në Njësinë e Zhvillimit

Trajnimi Kombëtar i Koordinatorëve të Zhvillimit të Kurrikulave në Njësinë e Zhvillimit

Në muajin shtator nisi “Trajnimi Kombëtar i Koordinatorëve për funksionin e Zhvillimit të Kurrikulave në Njësinë e Zhvillimit”, i cili u shtri deri në muajin dhjetor. Programi u monitorua nga Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve (AKAFPK), dhe u koordinua e mbështetet nga Projekti “Aftësi për Punë” (S4J).

Trajnimi kishte një kohëzgjatje prej 57 orë (trajnim i drejtëpërdrejtë/ sinkron 24 orë dhe punë individuale/ asinkron 33 orë) dhe  certifikoi më 17 dhjetor 45 koordinatorë të zhvillimit të kurrikulave në nivel kombëtar. Qëllimi kryesor i këtij trajnimi ishte aftësimi i koordinatorëve rreth funksionit që ata kryejnë në institucionet arsimore.

Trajnimi u realizua në 5 (pesë) module ku tematikat kryesore fokusoheshin në: rolin e koordinatorit të kurrikulës të mësimdhënësve në AFP; aspektet e komunikimit, moderimit dhe bashkëpunimit në funksionin e koordinatorit të kurrikulave; zhvillimin e mëtejshëm të lëndëve teorike profesionale në nivel ofruesi; zhvillimin e mëtejshëm të moduleve praktike profesionale në nivel ofruesi; si dhe vlerësimi i nxënësve dhe provimet (teorike dhe praktike). Të gjitha materialet e trajnimit gjenden dhe të digjitalizuara në platformën edukative MësoVET, duke krijuar dhe kursin e parë virtual për këtë target grup.

(https://mesovet.al/course/view.php?id=492)

Diversiteti i problematikave që koordinatorët kishin të ndeshur gjatë ushtrimit të këtij funksioni, nxiti nismën e krijimit të një Komuniteti Virtual midis Koordinatorëve të Zhvillimit të Kurrikulave, me qëllimin për të shkëmbyer përvoja me kolegët apo të diskutohet mbi funksionin e koordinatorit. Rrjeti profesional virtual, në platformën facebook, titullohet: “Koordinatorët e Zhvillimit të Kurrikulave” 

Share This Article: