Rreth nesh
“Aftësi për Punë” (S4J) është një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), i zbatuar në Shqipëri nga organizata Swisscontact. Projekti ka për qëllim modernizimin e arsimit dhe formimit profesional (AFP) përmes digjitalizimit, inovacionit dhe nxitjes së një sistemi gjithëpërfshirës e më cilësor. S4J po punon për krijimin e një sistemi të qëndrueshëm të AFP‑së që u përgjigjet kërkesave të tregut të punës dhe u ofron të rinjve mundësi reale për zhvillim profesional.
Aktualisht, projekti ndodhet në Fazën e 3‑të (Korrik 2023 – Qershor 2027), ku fokusi është zhvillimi, konsolidimi dhe transferimi i gjashtë objekteve kryesore të inovacionit:
- Digjitalizimi i ofertës së arsimit dhe formimit profesional (AFP)
- Përmirësimi i proceseve dhe strukturave të brendshme të shkollave profesionale
- Modelet e zhvillimit të vazhdueshëm profesional
- Marrëdhëniet me bizneset dhe partnerët
- Cilësia e të nxënit përmes punës
- Diversfikimi i ofertës dhe zhvillimi i aftësive
Në kuadër të kësaj faze, S4J po mbështet Qeverinë Shqiptare në zbatimin e iniciativës për arsimin dual, një model që po shndërrohet në një mekanizëm të fuqishëm lidhës mes shkollës dhe tregut të punës. Arsimi dual ndërthur mësimin teorik në shkollë me punën e strukturuar në kompani, duke i pajisur nxënësit me kompetenca konkrete, përvojë reale dhe një kuptim të qartë të profesionit që ndjekin. Ky model po ndihmon të rinjtë të zhvillojnë aftësitë, të rrisin punësueshmërinë dhe të ndërtojnë baza të qëndrueshme për karrierën e tyre.
Përmes bashkëpunimit të ngushtë me shkollat profesionale, bizneset dhe institucionet publike, S4J po kontribuon në krijimin e një sistemi modern dhe efikas të arsimit dual në Shqipëri, duke e shndërruar atë në një motor zhvillimi për të rinjtë dhe për ekonominë e vendit.
Vizioni
Qëllimi kryesor i projektit “Aftësi për Punë” (S4J) është që t’u ofrojë të rinjve në Shqipëri arsimin dhe formimin më të mirë profesional. Aftësitë më të mira do t’i ndihmojnë të rinjtë që të gjejnë një punë që e adhurojnë dhe që paguhet mirë.