
Shkolla Dimërore 2024: Një platformë dinamike për modernizimin e sistemit të AFP në Shqipëri
Shkolla Dimërore 2024 e emërtuar “Mekanizmat e brendshëm të suksesit: Transformimi i sistemit të AFP në Shqipëri” ishte një aktivitet dinamik i organizuar në datat 3 dhe 4 dhjetor i cili bashkoi disa nga aktorët më të rëndësishëm në sistemin e arsimit dhe formimit profesional në Shqipëri për të eksploruar botën e një arsimi profesional modern.
Znj. Argjentina Grazhdani, Drejtore për Shqipërinë e Swisscontact, hapi aktivitetin duke vlerësuar përkushtimin 30-vjeçar të Swisscontact në zhvillimin e aftësive dhe AFP-së në Shqipëri. Z. Fation Dragoshi, Menaxher i Projektit “Aftësi për Punë” (S4J), nënvizoi fokusin e ardhshëm të projektit, duke theksuar mbështetjen për më shumë shkolla profesionale përmes modaliteteve novatore. Znj. Erka Çaro, Zëvendës Menaxhere e Projektit S4J, prezantoi programin e Shkollës Dimërore, duke theksuar transferimin e përvojave të suksesshme shkollore në sistemin më të gjerë të AFP-së përmes modelit zviceran të mbështetjes së qëndrueshme.



Një panel diskutimi me përfaqësues nga Ambasada e Zvicrës në Shqipëri, Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive dhe Agjencia Kombëtare për Arsimin, Formimin Profesional dhe Kualifikimet eksploruan sfidat dhe mundësitë për zhvillimin e kapitalit njerëzor në Shqipëri. Ekspertët trajtuan gjithashtu çështjen kritike të zbatimit të inovacionit brenda sistemit të AFP-së.
Më tej, Prof.Em.Dr. Dieter Euler nga Universiteti St. Gallen në Zvicër trajtoi mënyrat e kapërcimit të sfidave të zbatimit të inovacionit në AFP duke prezantuar se si modeli zviceran i mbështetjes së qëndrueshme mund të zbatohet në mënyrë efektive në kontekstin shqiptar. Gjithashtu, u trajtuan çështje të mbështetjes zvicerane në arsimin profesional nga shkolla në nivel sistemi nga skuadra e projektit “Aftësi për Punë” dhe skuadra e projektit SD4E, UNDP Albania.




Sesionet paralele që vijuan kishin në fokus prezantimin e proceseve novatore të zhvilluara nga S4J në bashkëpunim me shkollat partnere të fazave të mëparshme si dhe shkëmbimin e përvojave mes shkollave, me tematika:
- Planifikimi strategjik për rritjen e cilësisë së ofruesve të AFP (moderuar nga Migena Kapllanaj)
- Angazhimi i sektorit privat në AFP (moderuar nga Elton Jorgji)
- Ofertë dinamike në AFP në bashkëpunim me sektorin privat (moderuar nga Oltjon Valisi)
- Prezantimi i gjetjeve nga gjurmimi kombëtar me të diplomuarit nga arsimi profesional (moderuar nga Aleka Papa)






Dita e dytë e Shkollës Dimërore 2024 pati shumë ndërveprim dhe diskutime gjatë prezantimeve dhe sesioneve paralele.
Znj. Erka Çaro, Zv. Menaxhere e projektit “Aftësi për Punë”, dhe Znj. Aleka Papa, Menaxhere Portofoli për Qëndrueshmërinë, prezantuan qasjen e S4J gjatë fazës së tretë dhe transferimin e proceseve novatore të zhvilluara gjatë këtyre fazave në shkollat profesionale të sistemit. Gjatë prezantimit u sqarua edhe roli i ekspertëve të transferimit nga shkollat partnere të fazave të mëparshme të projektit. Ndërkohë, përfaqësues nga shkollat profesionale u ftuan të vinin në dukje nevojat e tyre për ndërhyrje nga S4J.



Programi vijoi me sesionet paralele të moderuara nga ekipi i S4J së bashku me ekspertët e transferimit, me tema:
- Cilësia e shërbimeve një Njësisë së Zhvillimit (Migena Kapllanaj)
- CIlësia e praktikave profesionale në biznes (Erka Çaro dhe Aurora Marku)
- Digjitalizimi në AFP (Eriola Shingjergji dhe Edlira Kola)
- Menaxhimi i procesit mësimor (Prof. Robert Gjedia)
- Nisma e re e arsimit dual (Oltjon Valisi dhe Elton Jorgji)






Shkolla Dimërore 2024 u mbyll nga Z. Klevis Hysa, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, dhe Z. Fation Dragoshi, Menaxher i projektit “Aftësi për Punë”, të cilët përmendën rëndësinë që po i kushtohet arsimit profesional dhe nevojën e bashkëpunimit me aktorë të ndryshëm me qëllim punësimin e denjë dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së të rinjve shqiptarë.
Për të mësuar më shumë mbi aktivitetin dhe për të shfletuar manualet për secilin nga proceset novatore të zhvilluara nga projekti “Aftësi për Punë” mund të vizitoni faqen e dedikuar të Shkollës Dimërore 2024.