Në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar në arsimin profesional, partneriteti mes GBS St. Gallen dhe Shkollës Profesionale Elbasan ka mundësuar zgjerimin e nismës “Second Life”, duke sjellë një qasje novatore në përdorimin e pajisjeve kompjuterike të ripërdorura për procesin mësimor dhe zhvillimin e aftësive digjitale të nxënësve.
Falë kësaj nisme, pajisje kompjuterike Macintosh kanë marrë një “jetë të dytë” në funksion të mësimdhënies, duke kontribuar në modernizimin e mjedisit mësimor dhe rritjen e aksesit në teknologji për nxënësit e shkollës.
Në këtë kuadër, në muajin mars, në ambientet e shkollës u zhvillua një aktivitet me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga Ambasada e Zvicrës në Shqipëri, drejtues të Swisscontact Albania dhe të projektit “Aftësi për Punë” (S4J), të cilët u njohën nga afër me përmirësimet në infrastrukturë, ambientet e shkollës dhe përfitimet konkrete për nxënësit.
Gjatë aktivitetit, nxënësit dhe mësuesit ndanë përvojat e tyre nga shkëmbimet me partnerët zviceranë, duke sjellë shembuj konkretë të bashkëpunimit ndërkombëtar në kuadër të projektit “P2P Learning in ICT, Alb-CH”. Përfitues të kësaj nisme janë gjithashtu edhe shkolla “Gjergj Canco”, duke zgjeruar ndikimin e saj në disa institucione arsimore.
Aktiviteti u pasurua edhe me një lidhje online me partnerët zviceranë, ku u prezantua më gjerësisht iniciativa “Second Life” dhe u diskutua për bashkëpunimin e ardhshëm me shkollat profesionale në Shqipëri.
Në fjalën e tij, Philipp Arnold, Zëvendës Shef i Misionit në Ambasadën e Zvicrës, theksoi rëndësinë e ndërkombëtarizimit të arsimit profesional si një faktor kyç për rritjen e cilësisë së arsimit dhe përgatitjen e të rinjve për tregun e punës.









