Projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim e Bashkëpunim SDC
Workshop për vlerësimin e nxënësve në arsimin dual: drejt një procesi më cilësor dhe më të standardizuar - Featured Image

Workshop për vlerësimin e nxënësve në arsimin dual: drejt një procesi më cilësor dhe më të standardizuar

Me qëllim rritjen e cilësisë së arsimit profesional dual në Shqipëri, Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve (AKAFPK), me mbështetjen e projektit “Aftësi për Punë” (S4J), zhvilloi në muajin prill një workshop dy-ditor të dedikuar vlerësimit të nxënësve në arsimin dual. Aktiviteti mblodhi së bashku mësues të kualifikimeve profesionale duale dhe zëvendësdrejtorë të kulturës profesionale nga shkolla të ndryshme profesionale në vend.

Workshop-i u fokusua në përmirësimin e proceseve të vlerësimit dhe forcimin e bashkëpunimit mes shkollës dhe biznesit, si një element kyç për garantimin e një formimi profesional cilësor dhe të lidhur ngushtë me tregun e punës.

Gjatë dy ditëve të punës, pjesëmarrësit trajtuan tema të rëndësishme që lidhen me zbatimin e kurrikulave duale, kuadrin ligjor të vlerësimit, instrumentet dhe metodologjitë e përdorura për vlerësimin e nxënësve, si dhe rolin e mentorëve në biznes në mbështetjen dhe monitorimin e nxënësve gjatë praktikës profesionale.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua bashkëpunimit shkollë-biznes dhe mënyrave për të siguruar dokumentim dhe raportim më të strukturuar të procesit të vlerësimit. Përmes diskutimeve të strukturuara dhe punës në grup, pjesëmarrësit ndanë sfidat që hasin në praktikë, si edhe eksperienca dhe modele të suksesshme të zbatuara në shkollat e tyre.

Në përfundim të workshop-it, pjesëmarrësit dakordësuan masa konkrete për përmirësimin e mëtejshëm të procesit të vlerësimit, monitorimit dhe raportimit në kuadër të arsimit profesional dual, duke kontribuar në rritjen e standardeve të cilësisë në arsimin profesional.