Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve (AKAFPK), në bashkëpunim me Swisscontact Albania / projekti “Aftësi për Punë” (S4J), ka vijuar punën për zhvillimin e kualifikimeve të reja duale me angazhimin e ekspertëve nga sektori privat.
Si hap i parë, gjatë periudhës janar-shkurt, u zhvilluan tryeza konsultimi për identifikimin e nevojave të tregut të punës me përfaqësues të industrive prioritare. Diskutimet u fokusuan në rishikimin e kualifikimeve ekzistuese dhe hartimin e të rejave, në sektorë si termohidraulika, elektroteknika, tekstil-konfeksioni, përpunimi i drurit, teknologjia ushqimore dhe shërbimet e mjeteve të transportit.




Gjatë periudhës mars-qershor, është zhvilluar një cikël takimesh teknike me grupe pune të përbëra nga përfaqësues të AKAFPK, ekspertë dhe mësues të sektorëve përkatës për hartimin e 8 kualifikimeve duale, duke arritur një numër prej 19 kualifikimesh duale që ofrohen në nivel sistemi.
Zgjerimi i ofertës pritet të sjellë një rritje të numrit të shkollave profesionale që do të ofrojnë kualifikime duale për vitin shkollor 2026-27.
“Angazhimi i industrisë është një element kyç në zhvillimin cilësor të kualifikimeve profesionale. Përmes projektit ‘Aftësi për Punë’ (S4J), është mundësuar përfshirja aktive e ekspertëve të mirënjohur që përfaqësojnë sektorë të ndryshëm të ekonomisë, duke sjellë në proces njohuri praktike, ekspertizë profesionale dhe perspektivën e tregut të punës. Ky bashkëpunim ka kontribuar në hartimin dhe përmirësimin e kualifikimeve duale të lidhura me nevojat reale të industrisë, duke rritur cilësinë dhe relevancën e arsimit profesional për të rinjtë dhe punëdhënësit.”
Ejvis Gishti, Drejtor i Përgjithshëm, AKAFPK



