Projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim e Bashkëpunim SDC
Lidershipi përtej teknologjisë: trajnim mbi transformimin digjital në shkollat profesionale - Featured Image

Lidershipi përtej teknologjisë: trajnim mbi transformimin digjital në shkollat profesionale

Projekti “Aftësi për Punë” (S4J) në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA) zhvilloi në maj trajnimin dy-ditor “Roli i Lidershipit në Transformimin Digjital në Shkollat Profesionale” me pjesëmarrjen e drejtorëve, nëndrejtorëve, koordinatorëve të njësive të zhvillimit dhe administratorëve të MësoVET nga 6 shkolla profesionale.

I udhëhequr nga Dr. Nada Kallçiu, pedagoge në Fakultetin e Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës, trajnimi trajtoi tema si lidershipi digjital, menaxhimi i ndryshimit, ndërtimi i kulturës digjitale dhe hartimi i planeve të veprimit në nivel shkolle.

Përmes ushtrimeve praktike dhe lojërave me role, pjesëmarrësit analizuan sfidat që shoqërojnë transformimin digjital, përfshirë rezistencën ndaj ndryshimit, përdorimin e mjeteve digjitale dhe angazhimin e stafit. Diskutimet nënvizuan rëndësinë e rolit të drejtuesve në ndërtimin e besimit, bashkëpunimit dhe një kulture të të nxënit të vazhdueshëm.

Trajnimi u mbyll me punë në grupe për identifikimin e hapave konkretë që shkollat mund të ndërmarrin për të avancuar procesin e transformimit digjital dhe integrimin e praktikave digjitale në veprimtarinë e tyre të përditshme.