Më 18 shtator, shkolla “Nazmi Rushiti” në Dibër mirëpriti një delegacion të përbërë nga përfaqësues të lartë diplomatikë të Zvicrës, Gjermanisë dhe Austrisë, në një vizitë të përqendruar te zhvillimet e arsimit profesional dhe prioritetet për forcimin e mëtejshëm të tij në Shqipëri.
Në vizitë morën pjesë znj. Siri Walt, Ambasadore e Zvicrës në Shqipëri, z. Karl Bergner, Ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë, znj. Monica Zach, Ambasadore e Austrisë, si dhe znj. Argjentina Grazhdani, Drejtore për Shqipërinë e Swisscontact. Vizita u zhvillua në nisje të vitit të ri shkollor dhe shërbeu si një mundësi për të parë nga afër rezultatet e arritura në shkollë, si dhe për të diskutuar prioritetet dhe sfidat për periudhën në vijim.
Gjatë takimit, Ambasadorja e Zvicrës, znj. Siri Walt, theksoi rëndësinë që Zvicra, Gjermania dhe Austria i kushtojnë arsimit profesional si një rrugë që u ofron të rinjve përgatitje cilësore dhe të orientuar drejt tregut të punës. Ajo nënvizoi gjithashtu vlerën e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, partnerëve ndërkombëtarë dhe aktorëve të sektorit për zhvillimin e mëtejshëm të arsimit profesional në Shqipëri.

Në fokus të diskutimeve ishte edhe zgjerimi i modelit të Arsimit Dual. Z. Fation Dragoshi, Menaxher i Projektit “Aftësi për Punë” (S4J), theksoi rëndësinë e shtrirjes së këtij modeli në të gjithë vendin, duke e cilësuar atë si një qasje që afron më tej arsimin me nevojat reale të industrisë dhe u mundëson të rinjve të zhvillojnë aftësi praktike të kërkuara nga tregu i punës.

Zhvillime të reja në shkollën “Nazmi Rushiti”
Vizita ishte gjithashtu një mundësi për të njohur nga afër disa prej zhvillimeve të rëndësishme të shkollës. Përfaqësues të saj, nxënës dhe partnerë nga biznesi ndanë përvojat e tyre dhe prezantuan progresin e arritur në fusha të ndryshme të menaxhimit dhe ofrimit të arsimit profesional.
Ndër zhvillimet kryesore të prezantuara gjatë vizitës ishin:
- përfundimi i procesit të akreditimit të shkollës;
- konsolidimi i sistemit të gjurmimit të të diplomuarve, për të kuptuar më mirë rezultatet e tyre pas përfundimit të studimeve;
- zgjerimi i rrjetit të bizneseve partnere, duke forcuar lidhjen mes shkollës dhe tregut të punës;
- zhvillimi për herë të parë i provimeve të nivelit përmes MësoVET;
- pilotimi i Arsimit Dual në kualifikimin “Kuzhinë”, duke krijuar një model të ri të bashkëpunimit mes shkollës dhe bizneseve për përgatitjen praktike të nxënësve.