Institucionet e Arsimit dhe Formimit Profesional (AFP) që janë partnere të projektit “Aftësi për Punë” (S4J) kanë krijuar një rrjet të gjerë bashkëpunimi me kompani partnere, përfshirë disa nga bizneset më të suksesshme në rajonet e tyre, të cilat ofrojnë mundësi për praktika profesionale afatgjata për nxënësit.
Bazuar në modelin e praktikës profesionale të zhvilluar nga S4J, nxënësit marrin orientim dhe këshillim për karrierën si nga mësuesit e shkollës, ashtu edhe nga mentorët e kompanive. Ky proces i ndihmon ata të kuptojnë më mirë aftësitë, interesat dhe prirjet e tyre, si dhe të zgjedhin drejtimet arsimore dhe pozicionet e punës që përputhen më mirë me potencialin e tyre.
Nxënësit mbështeten gjithashtu gjatë gjithë procesit të aplikimit për praktikën profesionale. Gjatë Panairit të Praktikave Profesionale të organizuar nga shkolla, ata njihen me kompani të ndryshme, mësojnë për mundësitë që ato ofrojnë dhe zhvillojnë intervista me përfaqësuesit e bizneseve.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit mes prindit/kujdestarit, shkollës dhe kompanisë, nxënësi mund të fillojë praktikën profesionale në kompani, duke fituar përvojë të vlefshme në një mjedis real pune dhe duke zhvilluar aftësi konkrete profesionale.