Mësimdhënie për kohët moderne: 182 mësues të certifikuar në Pedagogji Digjitale

Mësimdhënie për kohët moderne: 182 mësues të certifikuar në Pedagogji Digjitale

Në kuadër të modernizimit të procesit mësimor në shkollat profesionale, projekti “Aftësi për Punë” (S4J) ka vijuar me zbatimin e paketës së kurseve “Pedagogjia Digjitale”, e cila synon fuqizimin e mësuesve me kompetenca pedagogjiko-digjitale për një mësimdhënie bashkëkohore dhe gjithëpërfshirëse.

Aktualisht, po punohet për përshtatjen e paketës “Pedagogjia Digjitale” me instrumentin e vetëvlerësimit të aftësive digjitale të mësuesve SELFIE, në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Arsimit dhe Formimit Profesional dhe Kualifikimeve.

Kjo paketë është  ofruar në dy faza:

Faza I (Nëntor  2024– Janar 2025)

205 mësues nga 6 shkolla partnere të S4J morën pjesë në 8 kurse të zhvilluara online në mënyrë asinkrone përmes MësoVET. Në fund të kësaj faze, 182 mësues u certifikuan me sukses. Trajnimet përfshinë tema si:

  • Infrastruktura digjitale dhe planifikimi i mësimit të kombinuar  
  • Vlerësimi i nxënësve dhe aplikimi praktik i mësimit të kombinuar
  • Mësimi i bazuar në projekte dhe në probleme
  • Gjithëpërfshirja dhe aksesueshmëria në mësim

Faza II (Mars – Maj 2025)

Në këtë fazë janë regjistruar 200 mësues në 3 kurse të akredituara, të zhvilluara në mënyrë hibride (asinkron + sinkron). Ato ofrojnë një eksperiencë të plotë dhe të njohur nga ASCAP për zhvillimin profesional të mësuesve në arsimin profesional.

Bazuar në vlerësimet tejet pozitive dhe kërkesën e lartë, paketa “Pedagogjia Digjitale” do të vihet në vijim në dispozicion edhe të 90 mësuesve të tjerë nga shkolla profesionale të vendit.