Projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim e Bashkëpunim SDC
Nga shkolla në vendin e punës: si S4J po rrit cilësinë e praktikave profesionale në biznes - Featured Image

Nga shkolla në vendin e punës: si S4J po rrit cilësinë e praktikave profesionale në biznes

Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, projekti “Aftësi për Punë” (S4J) ka vijuar punën për rritjen e cilësisë së praktikave profesionale në mjediset e biznesit në shkollat partnere. Në fokus të ndërhyrjes është zhvillimi i një mësimi praktik të bazuar në punë më të strukturuar, më të orientuar drejt kompetencave dhe më të lidhur me nevojat reale të tregut të punës.

Në bashkëpunim me shkollat dhe bizneset partnere, S4J mbështet ndërtimin e një procesi më të qartë të organizimit të praktikave profesionale, forcimin e rolit të mentorëve në kompani dhe ndjekjen e progresit të nxënësve gjatë periudhës së praktikës. Kjo qasje synon që praktika profesionale të mos mbetet vetëm një komponent formal i kurrikulës, por një përvojë reale të nxëni dhe zhvillimi profesional.

Vetë nxënësit theksojnë se praktika në kompani u ka mundësuar të zhvillojnë aftësi teknike, të kuptojnë më mirë dinamikën e punës dhe të fitojnë vetëbesim në një mjedis real profesional.

Ata vlerësojnë gjithashtu mundësinë për të mësuar drejtpërdrejt nga profesionistë të industrisë dhe për t’u përfshirë në detyra reale pune, gjë që e bën procesin e të nxënit më të prekshëm dhe më të dobishëm për të ardhmen e tyre profesionale.

Mësoni më shumë mbi përvojat e nxënësve në videot më poshtë.

Shkollat profesionale shqiptare drejt standardeve evropiane të praktikave profesionale

Pesë shkolla profesionale partnere të projektit “Aftësi për Punë” (S4J) kanë ndërmarrë një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të cilësisë së arsimit dhe rritjes së mundësive për nxënësit e tyre, duke aplikuar pranë Aleancës Evropiane për Praktikat (European Alliance for Apprenticeships – EAfA), një nismë e Bashkimit Evropian që synon forcimin e praktikave profesionale cilësore dhe lidhjen e ngushtë të arsimit me tregun e punës.

Me mbështetjen e projektit “Aftësi për Punë” (S4J), shkollat pjesëmarrëse në këtë proces përfaqësojnë një hap të rëndësishëm drejt ndërkombëtarizimit dhe përmirësimit të standardeve në arsimin profesional.

Shkollat që kanë aplikuar janë:

  • Shkolla “Hamdi Bushati”, Shkodër
  • Shkolla Teknike Ekonomike Tiranë
  • Shkolla “Kolin Gjoka”, Lezhë
  • Shkolla Tregtare Vlorë
  • Shkolla “Kristo Isak”, Berat

Pjesëmarrja në EAfA u mundëson shkollave profesionale shqiptare të përmirësojnë standardet e mësimdhënies, të forcojnë bashkëpunimin me bizneset dhe të përfitojnë nga praktikat më të mira evropiane në fushën e arsimit profesional.