
Raporti i gjurmimit: Si ka ndryshuar situata e të diplomuarve nga AFP në tregun e punës?
Gjurmimi ka të bëjë me ndjekjen e nxënësve të diplomuar apo certifikuar nga shkolla një vit pas diplomimit apo certifikimit të tyre. Gjatë këtij procesi, nxënësi pyetet lidhur me kalimin e tij nga institucioni arsimor në tregun e punës, kushtet e punës, përputhjen midis programit mësimor që ka përfunduar dhe punës, si dhe vlerësimin në retrospektivë të shkollës, nisur nga kërkesat e tregut të punës.
Projekti “Aftësi për Punë” ka mbështetur pilotimin dhe ngritjen e një sistemi gjurmimi në nivel ofruesi në 7 institucione ofruese (6 shkolla të arsimit profesional dhe 1 qendër formimi):
- Shkolla e mesme teknologjike “Hamdi Bushati”, Shkodër
- Shkolla profesionale “Kolin Gjoka”, Lezhë
- Shkolla e mesme profesionale “Kristo Isak”, Berat
- Shkolla teknike-elektrike “Gjergj Canco”, Tiranë
- Shkolla Industriale “Pavarësia”, Vlorë
- Shkolla Tregtare Vlorë
- Qendra e Formimit Profesional Vlorë
Ky sistem gjurmimi përmbush dy qëllime të rëndësishme:
a) Monitorimin e treguesve kryesorë të tregut të punës për të diplomuarit e shkollës (të dhëna mbi raportin e të punësuarve, të vetëpunësuarve, të papunëve etj.);
b) Vlerësimin e lidhjes midis arsimit dhe punës për të diplomuarit e shkollës.
Kjo mundëson që institucioni të ketë të dhëna të besueshme dhe të përditësuara rreth statusit të punësimit të diplomuarve të tij, si dhe të përgatisë nxënës që plotësojnë kërkesat e tregut të punës.
Më poshtë mund të lexoni të plotë raportin krahasimor të gjurmimit për tre breza të diplomuarish.