Projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim e Bashkëpunim SDC
Si organizohen provimet e nivelit në shkollat profesionale përmes MësoVET - Featured Image

Si organizohen provimet e nivelit në shkollat profesionale përmes MësoVET

Këtë vit, organizimi i provimeve të nivelit në shkollat profesionale ka ndjekur një proces të strukturuar mirë, që fillon shumë kohë përpara ditës së provimit dhe përfundon me dokumentimin e plotë të rezultateve të nxënëseve dhe nxënësve.

Gjithçka nis me takime paraprake me grupet e punës në shkollat e reja, ku mësuesit që do të jenë përgjegjës për zhvillimin, ngarkimin dhe ndjekjen e procesit njihen për herë të parë me mënyrën se si do të funksionojë gjithçka. Atyre u prezantohet procesi hap pas hapi, roli që do të kenë dhe përfitimet që sjell ky sistem i ri. Menjëherë pas kësaj, ekipi i MësoVET organizon trajnime në grupe të vogla, ku mësuesit mësojnë praktikisht si të ngarkojnë tezat e provimeve në platformën e dedikuar të shkollës së tyre.

Në të njëjtën kohë, caktohen datat e provimeve dhe hartohet një kalendar i përbashkët për të gjitha shkollat. Për të mundësuar zhvillimin efektiv të provimeve, krijohen edhe hapësirat përkatëse, pra programet dhe kurset ku do të strukturohen provimet. Paralelisht kryhet regjistrimi, përditësimi dhe krijimi i grupeve apo klasave, si dhe ndarja e të dhënave me nxënësit.

Kur çdo gjë është gati për fillimin e provimeve, mësuesit orientojnë nxënësit me demonstrime praktike në monitor, në mënyrë që ata të kuptojnë saktësisht si të zhvillojnë provimin. Vetë tezat ngarkohen nga mësuesi, me mbështetjen dhe orientimin e vazhdueshëm të ekipit të MësoVET. Në këtë fazë vendosen edhe kriteret specifike të secilës tezë: data, orari, koha në dispozicion, numri i përpjekjeve që lejohen për nxënësin, si dhe mënyra e organizimit të pyetjeve.

Gjatë ditëve të provimit, nxënësit ndiqen nga afër, me mbështetje të vazhdueshme për aksesin në kurs dhe përditësimin e të dhënave sa herë që nevojitet. Pas përfundimit, mësuesit korrigjojnë dhe vlerësojnë pyetjet me përgjigje të hapura. Hapi i fundit i procesit është shkarkimi i të dhënave në format Excel, me rezultatet e nxënësve dhe tezat individuale të secilit prej tyre, për qëllime dokumentimi.

Në këtë mënyrë, procesi i provimeve të nivelit kombinon përgatitjen, trajnimin, mbështetjen teknike dhe dokumentimin final në një cikël të plotë, të koordinuar mirë midis shkollave dhe ekipit të MësoVET.

Share This Article: