Projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim e Bashkëpunim SDC
Transformim i arsimit profesional në Dibër: progres i matshëm në më pak se një vit bashkëpunim me S4J - Featured Image

Transformim i arsimit profesional në Dibër: progres i matshëm në më pak se një vit bashkëpunim me S4J

Një vizitë frymëzuese u zhvillua në shkollën “Nazmi Rushiti” në Dibër, me pjesëmarrjen e znj. Séverine Donnet-Descartes, Drejtore e Drejtorisë për Evropën Lindore në Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), znj. Ruth Huber, Ambasadore e Zvicrës në Shqipëri, z. Philipp Arnold, Zëvendës Ambasador, si dhe znj. Argjentina Grazhdani, Drejtore për Shqipërinë e Swisscontact.

Gjatë vizitës u prezantua transformimi i dukshëm që shkolla ka arritur në më pak se një vit bashkëpunimi me projektin “Aftësi për Punë” (S4J) dhe ekspertët e transferimit, duke reflektuar një progres të shpejtë dhe të matshëm në disa fusha kyçe të zhvillimit institucional.

U evidentuan rezultate konkrete në forcimin e bashkëpunimit me bizneset, rritjen e cilësisë së praktikave profesionale për nxënësit, digjitalizimin e proceseve shkollore përmes platformës MësoVET, si dhe zhvillimin e sistemit të gjurmimit të të diplomuarve, i cili mundëson planifikim më të bazuar në të dhëna dhe rritje të llogaridhënies institucionale.

Një tjetër arritje e rëndësishme është forcimi i kapaciteteve të mësuesve të praktikës përmes përfshirjes së profesionistëve nga biznesi, duke e bërë më të fortë lidhjen mes shkollës dhe tregut të punës dhe duke përmirësuar cilësinë e mësimdhënies në arsimin dual.

Gjithashtu, shkolla ka bërë hapa të rëndësishëm në komunikimin institucional dhe promovimin e ofertës së saj drejt nxënësve, komunitetit dhe punëdhënësve, duke u shndërruar në një institucion më të orientuar ndaj kërkesës së tregut.

Këto rezultate pasqyrojnë qasjen e zbatimit të S4J, e cila mbështetet në punën e ekspertëve të transferimit brenda shkollave dhe në ndërtimin sistematik të urave të bashkëpunimit me sektorin privat, duke nxitur ndryshim të qëndrueshëm të sistemit të arsimit profesional.

Share This Article: