Projekti “Aftësi për Punë” (S4J) vijoi gjatë periudhës janar–qershor 2026 mbështetjen për zbatimin e arsimit dual në 14 shkolla profesionale në vend. Kualifikimet duale po zbatohen në profilet Kuzhinë, Multimedia, Instalime Elektrike Civile dhe Industriale, Riparime dhe Mirëmbajtje të Linjave Elektrike, si dhe Shërbime dhe Riparime Elektroauto.
Mbështetja u fokusua në forcimin e kapaciteteve të mësuesve, Koordinatorëve të Marrëdhënieve me Biznesin dhe drejtuesve të shkollave për zbatimin e kontratave të mësimit të profesionit, organizimin e moduleve praktike në kompani dhe monitorimin e progresit të nxënësve.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua nxënësve përmes asistencës në dokumentimin e përvojës së tyre profesionale, takimeve individuale dhe aktiviteteve që nxisin reflektimin mbi aftësitë e fituara në vendin e punës. Gjithashtu, janë zhvilluar takime me prindërit në kompani për të forcuar komunikimin dhe përfshirjen e tyre në procesin e zhvillimit profesional të fëmijëve.
S4J vijoi gjithashtu bashkëpunimin me bizneset partnere, duke mbështetur mentorët në kompani dhe duke forcuar dialogun për përmirësimin e vazhdueshëm të modelit dual.



Krijimi i një komuniteti praktikash për arsimin dual
Gjatë kësaj periudhe janë organizuar aktivitete që kanë bashkuar të gjithë aktorët e përfshirë në arsimin dual, duke krijuar hapësira për dialog, shkëmbim përvojash dhe identifikim të zgjidhjeve për sfidat ekzistuese.
Një ndër aktivitetet më domethënëse ishte takimi i zhvilluar në Qendrën Multifunksionale Kamëz, ku u mblodhën drejtues shkollash, mësues, nxënës, prindër, mentorë dhe drejtues kompanish, përfaqësues të organizatave të biznesit dhe institucioneve publike. Diskutimet u fokusuan në ndikimin e arsimit dual, përfitimet për të rinjtë dhe bizneset, si dhe në mundësitë për përmirësimin e mëtejshëm të këtij modeli.
Po ashtu, një takim online me Koordinatorët e Marrëdhënieve me Biznesin nga shkollat pjesëmarrëse u fokusua në forcimin e bashkëpunimit me bizneset partnere dhe shkëmbimin e praktikave më të mira për zbatimin cilësor të kualifikimeve duale.



