Konferenca Kombëtare e Arsimit dhe Formimit Profesional 2026 mblodhi së bashku institucione publike, partnerë zhvillimi, biznese dhe ofrues të AFP-së për të diskutuar të ardhmen e aftësive, punësimit dhe zhvillimit ekonomik në Shqipëri.
Gjatë konferencës u zhvilluan tre sesione tematike që trajtuan çështje kyçe për transformimin e sistemit:
- një vizion i ri për arsimin profesional të së ardhmes dhe përgatitjen e të rinjve për tregun e punës
- investimet strategjike, digjitalizimi dhe financimi i qëndrueshëm i sistemit të AFP-së
- sfidat dhe perspektivat e tregut të punës, nevojat për aftësi dhe përgatitja për tranzicionin e gjelbër dhe digjital
Në panelin e dedikuar novacionit dhe orientimit drejt së ardhmes në AFP, Menaxheri i projektit “Aftësi për Punë” (S4J), Fation Dragoshi, theksoi rëndësinë e tre shtyllave që po udhëheqin transformimin e sistemit: partneritetet shkollë–biznes, arsimin dual dhe digjitalizimin.
“Këto nuk janë tre procese të ndara, por tre kushte që, kur funksionojnë së bashku, e transformojnë AFP-në nga një sistem që thjesht përshkruan ekonominë, në një sistem që e formëson atë,” u shpreh Dragoshi.



